Për Butrintin nuk dihet se çfarë kundërshtohet

Postuar në 30 Maj, 2022 14:12

Në një prononcim për MCN Tv,  një aktivist i quajtur Andi Tepelena ka njoftuar se çështja e Butrintit do të shkojë në Gjykatën Kushtetuese.

Një grup juristësh është ngritur. Po punojnë për të përgatitur dosjen për në gjykatën Kushtetuese. Nuk kemi pasur dëgjesa publike dhe transparencë me komunitetin. Nga komunikimi me qytetarët ka një irritim. Duket sikur Butrinti nuk u përket qytetarëve. Ndihen të përjashtuar nga ky proces. Butrinti është emblema jonë kulturore.

Fakti që krijohet një precedent i tillë me Butrintin, kjo krijon precedentë me sitet e tjera kulturore, kemi të bëjmë me privatizim të siteve publike. Me të ardhurat që Butrinti sot siguron është i vetëmjaftueshëm. Ka edhe një problem tjetër që ka të bëjë me pasurinë mjedisore. Kemi një hile që duhet të sqarohet, pse ka ndodhur kjo tkurrje e Parkut të Butrintit. Shumë shpejt do fillojë një peticion kombëtar për shfuqizimin e këtij ligji

ka thënë ai.

Nisma na kujton se Butrinti ka hyrë në modën e aktivizmit publik, në një formë të ngjashme me Teatrin. Dallimi qëndron në faktin se për Teatrin parashikohej prishje e një objekti, tjetërsimi statusit pronësor të pronës publike dhe mandej ndërtimi i një teatri të ri. I cili siç deklaron një herë në tre muaj kryeministri, do të ndërtohet.

Me Butrintin ne kemi një aspekt tjetër, aty ndryshon menaxhimi, por jo pronësia. Në këtë kuadër është pak e paqartë se çfarë mund të kundërshtohet në Gjykatë Kushtetuese në këtë rast. Plani i ri i Menaxhimit i mëshon idesë se për zonën historike, synim është ruajtja e trashëgimsë dhe jo ndonjë ndërhyrje që në çdo rast do të përbënte skandal.

Problemi me deklarime si këto të z. Tepelena është se ato janë ad hoc. E mori edhe Butrintin Ky, të çohemi. Çfarë është Butrinti? Dëgjova dje Auron Taren të thoshte se po fshijnë identitetin tonë kombëtar, se Hodges është antishqiptar, se nuk janë dëgjuar specialistë shqiptarë…Kaq mjafton për të ngritur stuhinë. Të kuptohemi drejt, nuk paragjykojmë aspak se ky është rasti konkret i z. Tepelena që mund edhe të hulumtojë mbaraz për temën, por mënyra si koaguloi ky diskutim është në këtë formë.

Doli pastaj edhe z. Neritan Ceka që për Epirin ka mendime sezonale dhe foli se po bëhet një skandal. Pastaj Apollon Baçe dhe ja kombi e ndjen se është në kërcënim.

Pjesa më e bukur: nuk ka transparencë me komunitetin. Ose: Butrinti është emblema jonë kulturore.

Komuniteti mund të kërkojë transparencë për pronat e veta, jo se kush menaxhon një sit arkeologjik, apo një park kombëtar, pasi me Butrintin zona ka përfituar jo aq nga biletaria, por nga promovimi. Komunitet kishte edhe Saranda të cilës i kërceu sipër babazia made in Tirana dhe kurrkush nuk u ndje. Madje u quajt zhvillim. Nga ana tjetër, komuniteti duhet të ngrihet edhe vetë, ai nuk ka sesi të themelohet si i tillë nga aktivistë nga Tirana, sepse ngjan si një lloj patronazhimi që në thelb në thotë se kur vjen puna për Butrintin, komunitet nuk ka.

Butrinti nuk është emblemë kulturore e shqiptarëve, edhe pse gënjeshrën e kemi zakon ta shpallim himn ditor. Kush di diçka për Butrintin, përtej ekspertëve, njerëzve me një lloj interesi, apo institucioneve? Pakkush? Dinë vetëm që është aty e hajde të shkojmë. Të mos hiqemi se jemi kaq skrupulozë për kulturën.

Të thuash se në Butrint cenohet identiteti ynë kombëtar, se u hoqën kaonët e u vunë helenët, është mungesë e frikshme kulture.

Të thuash se nuk di gjë për Butrintin, por jam me këtë kauzë se kam dëgjuar Auron Taren, apo Marin Memën është hapi i parë një qytetarie kioskash siç është edhe qytetaria e mbetur e shqiptarëve. Më mirë sesa e para. Qamet i zi, por më mirë.

Ne kemi parë një sërë objektesh, sitesh që janë nën menaxhim publik e që janë për faqe të zezë. Askush nuk ndihet. Sot i erdhi radha Butrintit, ndërkohë që Finiqi pranë është harruar. Po për çfarë?

Kushdo ka të drejtë të bëjë kauza, por duhet edhe një argument. Një i vetëm. Nuk është argument të thuash se nuk janë pyetur specialistë shqiptarë, kur historia e gërmimeve arkeologjike shqiptare nis me të huajt dhe kur ajo që sot shpallet trashëgimi, në bazamentin e vet është krijim apo modelim nga jashtë.

Njolla e reduktuar e parkut, apo kontratat janë çështje civile, administrative, jo aq për drejtësinë kushtetuese. Por deri më tani nuk është parë ndonjë gjë e tillë. Nëse po kundërshtohet plani i menaxhimit apo ligji përkatës në Kushtetuese kjo duhet parë, nëse aludohet për kontratat apo kontraktorët, kjo është për në SPAK. Do të ishte shumë më me interes të kapej i dokumentuar korrupsioni këtu sesa të ngrihej zëri për çështje historie e identiteti.

s.zaimi

Comments

Submitted by arben demo (not verified) on

Parku Arkeologjik I Butrintit eshte nje sit arkeologjik qe germohet nga Instituti Arkeologjik ose me Leje te tij...ai mitèmbahet dmth konservohet e restaurohet nga Instituti I Trashègimisè. Te dy keto struktura kane dhe njerezit e tyre ne Butrint qe kane dhe Plane vjetore.
Ekspeditat mund te jene edhe te perbashketa Mr studies tr huaj
Te dy institucionet mbikeqyrin germimet dhe drejtojme punimet e restaurimit....
Menaxhimi I Butrintit ne aspektin e vizitimit tr tij eshte tjeter gje...drejtohet nga institucionet dhe mund te kete edhe drejtues te huaj e financime ng OJF....por menaxhimi ska lidhje me detyrat e institucioneve shkencore e drejtohet prej tyre.

Submitted by emri (not verified) on

ta them une derman perse po behet sherr:
se kjo i eshte dhene nje kompanie qe s'ka te beje fare, po fare fare me ate qe duam ne shqiptaret per Butrintin. e drejtuar nga nje super legen, M.G qe ehste aty vetem per leket dhe e sheh ate si nje lope qe do mjele, i armatosur me eksperte qe duan te bejne eksperimente ne Butrint ska rendesi se kush jep leket e me ke punojne.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.