Shoqata e Bankave: Kriter financiar për ata që aplikojnë për leje ndërtimi
Sekretari i Përgjithshëm Shoqatës Shqiptare të Bankave, Spiro Brumbulli, thotë në një intervistë për revistën “Monitor” se për çështjen e pastrimit të parave në sektorin e ndërtimit, duhen shtuar disa kërkesa fikse për ata që aplikojnë për leje ndërtimi.
Ka një gjetje në raportet e Moneyval që sektori i ndërtimit është i ekspozuar ndaj ciklimit të parave me burime joligjore. Edhe pse bankat janë shumë të kujdesshme në kreditim të shoqërive të ndërtimit dhe individëve për blerje banesash, ka ndërtime që bëhen edhe pa kredi bankare.
Ndërsa i gjithë procesi i aplikimit për të marrë leje për ndërtim është i rregulluar për marrëdhënien e pronësisë mbi tokën, për lartësinë e kateve, për sipërfaqen e ndërtimit, për taksat, etj., konstatojmë se nuk ka asnjë kriter financiar.
Për sa kohë që ky sektor është i rrezikuar nga ciklimi i parave joligjore, mendojmë se kërkesave për leje i duhet shtuar edhe një kërkesë financiare: një madhësi e caktuar e burimeve financiare duhet të jetë gjendje në llogari të ndërtuesit, që në fazën e aplikimit.
Duhet të jetë një masë me karakter disavjeçar derisa ky proces të rregullohet plotësisht dhe të minimizohet në maksimum rreziku i përdorimit të burimeve financiare jo të ligjshme. Situata konkrete kërkojnë masa konkrete. Prandaj edhe duhet reflektuar për këtë kriter financiar
është shprehur Brumbulli.
Kërkesa në fjalë duket se vjen disi vonë, nisur nga fakti se në katër vitet e fundit ka patur një bum ndërtimesh, ku bankat kanë ekspozim të ulët nisur nga fakti se siç është raportuar, kërkesa për kredi nuk ka qenë e lartë.
Add new comment