Është ashtu siç duket

Postuar në 12 Maj, 2022 15:17

Dje doli lajmi se ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqja është nën hetim nga SPAK për praktikat e dy koncesioneve të shumëpërfolura: sterilizimit dhe check-up. Lajmi në vetvete konfirmon një lloj lëvizjeje sado të mekur në drejtim të zgjerimit të fushëveprimit penal në një vend ku u krijua një kastë të paprekshmish.

Nga ana tjetër, ai zbulon hipokrizinë e detyruar të kryeministrit që duket se ka patur arsye reale për betejat e veta ndaj medias. Kazani mediatik artikuloi akuza të ngjashme me ato që sot janë shndërruar në lëndë të parë të procedimit, ndaj ky kapitull i raporteve të z. Rama me median është një fiksion i sforcuar për një qeverisje me bazë korrupsionin. Të të gjithëve. Në kuptimin se të gjithë e kanë ditur çfarë po ngjiste. 

Spostimet e paarsyetuara mirë të disa personave shumë të afërt me z. Rama zbardhen sot për atë që janë: Ilir Beqja, Lefter Koka, Tom Doshi, Vangjush Dako, Alket Hysenj, Damian Gjiknuri e tani në përfolje të ethshme Arben Ahmetaj bashkë me perëndimin e rolit të sekretarit të Përgjithshëm të Kryeministrisë Engjëll Agaçi, lidhen mesa duket me problemet me drejtësinë.

Z. Rama ka patur informacionin, ka bërë llogaritë, ka përgatitur terrenin dhe ka bërë largimin nga skena. Duke pretenduar se ruan veten nga ndotja e këtij pisllëku. Sot na thuhet sikur të ishim një shoqëri që jemi 24 orë në lëndën e edukatës morale se njerëz të tillë turpëruan PS, se përgjegjësia është individuale. Dje na thuhej se sistemi korrupton njerëzit, ndërkohë që PS-ja vet është një entitet monokratik ku parimi që për çdo gjë vendos vetëm një njeri është norma.

Z. Rama e ka kthyer në alibi të moralit ndryshe faktin që ministrat procedohen. Por ne mund të pyesim: ka të bëjë kjo me një moral ndryshe, apo me faktin se vetë kryeministri e di që nuk i mbron dot ata që ka zgjedhur dhe as do në një farë mënyre? Një nga cilësitë e atij që drejton është edhe përzgjedhja e bashkëpunëtorëve. Mund të pyesim: mbi cilin kriter i ka përzgjedhur z. Rama njerëzit me të cilet nisi Rilindjen?!

Në 9 vjet qeverisje, ai ezauroi çdo kredencial moral e politik të dhuruar nga diskreditimi i Sali Berishës për të mbërritur në një pikë ku partia dhe qeveria e tij ngjajnë si një organizatë të cilës i duhet të djegë arkivat për të shpëtuar çfarë mundet. Dhe në fakt arrestimi i disave mundet që të jetë njën faturë për t’u paguar. Por kaq. Jo më kot per herë të parë z. Rama përmendi faktin se njerëzit e larguar nga vettingu duhen proceduar te pasuria e tyre. Në fund të fundit loja tashmë kjo po duket: ca burg edhe do bëhet, por pasuria të mos preket pasi ajo është investimi kryesor i të gjithë tranzicionit ku janë zhytur te gjithë. Pa përjashtim.

s.zaimi

Comments

Submitted by Doktor Mortja (not verified) on

Bandat kriminale te cilat hiqen si parti politike!
Asgje te te nga fronti i Perendimit!

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.