Tre njerëz që besonin te Njerëzimi! Rrëfime për De Gasperin...

Postuar në 01 Maj, 2022 17:50
Intervistoi: Riccardo Michelucci

 

"Dellaportaeditori" publikon së fundmi një intervistë me Maria Romana De Gasperi, vajza e ish-kryeministrit të parë italian të pas Luftës së Dytë Botërore, Alcide De Gasperi. Një intervistë e gjatë dhe me interes për shkak të lidhjeve të ngushta të saj me të atin,  që e bën atë dëshmitare të dorës së parë, por edhe sepse ajo ka qenë dikur sekretarja e tij. Hollësi familjare, të punës, marrëdhëniet me personalitete të tjera, raporti me publiken, publikun dhe paranë.

Janë të gjitha aty në një rrëfim që na tregon se ngritja e shoqërive nuk ka asnjë shans të ndodhë pa moralin e atyre që drejtojnë, apo gjenden në drejtim. Dhe De Gasperi ishte për ta thënë disi me guxim, një italian i pazakonshëm, me vullnet dhe disiplinë, ndershmëri dhe dedikim, cilësi të domosdoshme që dhanë edhe përmes tij një Itali demokratike, por që në fund duket se vinin nga paradhënia e një katoliku të devotshëm, të edukuar në Austri, shumë i dashur, por që përkëdheljet e të cilit për vajzat “ishin një ngjarje për t’u kujtuar”. Më poshtë një pjesë e intervistës:

Kur nisët të kuptonit, si fëmijë, se ishte një njeri kaq i rëndësishëm?

Do thosha katër vjetët e fundit para Çlirimit, pra rreth vitit 1941. Fillova të shoh personat që vinin ta takonin, nuk i dija emrat e tyre, por vija re se vinin mbrëmjeve, me kujdes të madh dhe kështu që ne vajzat – unë dhe motra ime Lucia – shkonim fshehurazi për të parë se kush ishte. Ishin të gjithë antifashistë, nuk ua dinim emrat, por të gjithëve u kishim vënë nofka. Pastaj, pak nga pak, nisëm të kuptojmë gjithçka. Çdo gjë bëhej me vëmendje dhe kujdes. Nuk përdoreshin asnjëherë emrat e vërtetë. Sot duket absurde, por edhe përmes telefonave përdoreshin emra të rremë. Për fat, Roma, duke qenë “qytet i hapur” nuk pësoi kurrë bombardime, as njohu situata shumë të rënda. Babai im në fillim u fsheh në Laterano, pastaj në një dhomë që ishte vënë në dispozicion nga kardinali Celso Costantini, në piazza di Spagna….

Kush ishte Alcide De Gasperi?

Një njeri që besonte në politikën e bazuar mbi parimet, por edhe një intelektual. Në bug ishte e zakonshme të shkruheshin letrat në latinisht. Kur ishte kryeministër, në mbrëmje qetësohej duke lexuar eklogat e Virgjilit në latinisht dhe « Anabasis » të Ksenofonit në greqisht. Gjatë kohës së fashizmit punonte mëngjeseve në Vatikan si biblotekar, pasditeve përkthente tekste në gjermanisht…i thoshte frazat me zë të lartë, ndërsa nëna jonë i hidhte në makinë shkrimi. Ne fëmijët duhet të rrinim në heshtje për të mos bërë zhurmë dhe për të mos i shqetësuar…

Kur unë dhe motra ime ishim 8 vjeç, babai na kishte lexuar tashmë “Ferrin” e Dantes nga një libër i madh me ilustrime. Na e lexonte me copëza dhe na e shpjegonte. Pastaj bëri të njëjtën gjë me « Iliadën » dhe « Odisenë ». ishte kaq interesante ta dëgjoje ndërsa na tregonte dhe shpjegonte këto histori të antikitetit.

…Si do ta përshkruanit besimin fetar të babait tuaj?

Ishte një besim natyral, i privuar nga çdo dyshim apo pasiguri. Në fjalët e tij, apo si në shkrimet e tij, nuk ekzisojnë gjurmë dyshimi. As edhe në letrat që shkruajti kur ishte në burg, edhe në momentin kur shpresoi më kot se do ta lironin. E çuan në pallatin e drejtësisë dhe e vunë në rresht me një grup kriminelësh; ishte thuajse i sigurtë se do të kthehej i lirë dhe në fakt e gjeti sërish veten të mbyllur në Regina Coeli. Nga ajo periudhë kam gjetur një letër, ndoshta është e vetmja që tregon se u lëshua në të qarë për shkak të dëshpërimit, sepse nuk dinte si ta ndihmonte familjen, duke qëndruar në burg. Më pas megjithatë, teksa i shkruante time mëje, e siguronte duke i thënë se Zoti nuk do ta harronte dhe do ta ndihmonte….

I pari kujtim prej tij është kur u kthye në shtëpi nga burgu. Nuk e dija që kishte qenë në burg, më kishin thënë se kishte shkuar në një qytet të largët për punë. Motra ime Lucia, refuzoi ta përqafonte. “Ti nuk je babai im, babai im është ai", - i tha duke i treguar një fotografi të tij. Na tregoi edhe se një ditë një roje e burgut e kishte zbuluar nga vrima e çelësit teksa shkruante në murin e qelisë me një gjilpërë. Ishte një frazë e Ungjillit:  "Beati qui lugent quoniam ipsi consolabuntur". "Të bekuar janë ata që qajnë, sepse do të ngushëllohen".

Çfarë thoshte babai juaj për Duçen dhe fashizmin?

Për regjimin kishte një ide të tmerrshme. Në një fletore të vogël shkruante të gjitha gjërat negative dhe ato që e bënin të vuante, si priftërinjtë që bekonin simbolet dhe katolikët që vinin në dukje simbolet fashiste. Ishin gjëra që i bënin keq fizikisht, duke i dhënë p.sh probleme stomaku. Për Duçen nuk fliste thuajse kurrë. Kujtoj vetëm një herë në Liguria, para një turme mbështetësish që përplasnin duart mbi xhamin e makinës duke e ftuar të ndalonte, më tha: “E kuptoj Musolinin. Është e vështirë të kuptosh nëse bëjnë kështu sepse ke bërë diçka të mirë apo thjesht sepse je drejtuesi”. Besonte se vaniteti ishte një grackë për një politikan…

….

Në aktivitetin tuaj si sekretare personale e babait tuaj ju ndodhte të merrnit letra të presidentit amerikan, Harry Truman, apo të bisedonit me Konrad Adenauer dhe Robert Schuman, me Pietro Nenni dhe Palmiro Togliattin.

Nuk dua të jap idenë se kisha një rol kaq të rëndësishëm. Isha një vajzë e re, shpesh edhe fare naive. Bëja një punë të vogël dhe të thjeshtë: konsistonte në kërkimin e letrave dhe dokumenteve që i duheshin tim ati dhe mblidhja informacione mbi personat që duhet të takonte. Duhet të përgatisja promemorie dhe t’i përmblidhja përpara takimeve, merrja dhe kaloja telefonata. Isha sekretare në sensin e ngushtë…Në atë kohë e jetoja këtë situatë sikur të ishte çdo gjë normale edhe pse kisha kontakte thuajse të përditshme me shumë personalitete si Schuman, Adenauer dhe liderët kryesorë politikë italianë…Punoja në një tavolinë që thuhej si kishte qenë e Giovanni Gioltti, nuk e di sa e vërtetë është…

Cili ishte raporti i Alcide De Gasperit me paranë ?

Kishte një çinteresim absolut. Imagjinoni, që edhe pse ishte Kryeministër, për të shkuar në SHBA iu desh të huazonte një pallto nga sekretari i Demokracisë Kristiane, Attilio Piccioni, sepse në atë kohë nuk kishte një të përshtatshme për të takuar presidentin Truman dhe për të marrë pjesë në takime publike me rëndësi. Por të mbajmë parasysh se në atë kohë Italia vinte nga varfëria më e zezë. P.sh policët nuk kishin këpucë: prisnin me këmbë zbathur në kazermë që të ktheheshin kolegët që të merrnin të tyret.

Sot do të ishte e paimagjinueshme që Kryeministri të marrë vajzën e vet për sekretare. Është e vërtetë që në atë kohë ju nuk fitonit asgjë?

Sigurisht. Babai im mendonte se në familje nuk mund të ketë më shumë se një pagë nga buxheti. Kështu më kalonte një pjesë nga e tija.

Cilat nga personalitetet e mëdha që keni takuar ju ka bërë përshtypje në mënyrë të veçantë dhe pse?

Do të thosha se francezi Schuman dhe gjermani Adenauer, me të cilët babai im ka patur përherë një raport të veçantë, shumë të ngushtë, të favorizuar edhe nga fakti se ia dilnin të flisnin mes tyre duke përdorur një gjuhë, gjermanishten. Të gjthë ishin persona me besim të madh te njerëzimi. Pas një lufte kaq shkatërrimtare ia dilnin ende të imagjinonin një Europë të bashkuar. Adenauer ishte një njeri shumë serioz dhe shumë i lidhur me babain tim, sepse ai ishte i pari që e takoi, kur të gjithë e refuzonin. Por miku i tij i vërtetë ishte Schuman. Kur babai vdiq, më ftoi në Paris dhe më kërkoi t’i lija ndonjë letër të tijën si kujtim. Me Adenauer pata në fakt vështirësi më të mëdha për të dialoguar dhe për të qëndruar në kontakt, duke mos e njohur gjermanishten…

Në librin tuaj “De Gasperi, si njeri” ju sillni fragmentin e një letre në të cilën babai juaj i shkruajti Togliattit këto fjalë: Nuk jam mashtuar asnjëherë prej teje, as unë nuk të kam bërë kurrë të supozosh se mund të shkëmbejmë edhe doktrinat, prirjet dhe do të thosha edhe palët : pra që ti të bëje kristianin dhe unë marksistin. Secili lind me shenjuesit e vet dhe nëse kontatet janë përherë të mundshme, nuk është e ndaluar të ngatërrosh arsyet taktike me bindjet » . Çfarë raporti pati babai juaj me Plamiro Togliattin ?(kreu i komunistëve italianë).

E konsideronte një njeri inteligjent dhe shumë të mprehtë. Nga ana tjetër, edhe ai lexonte latinisht dhe greqisht dhe donte Danten. Babai im çmonte dhe vlerësonte ekuilibrin e tij në drejtimin e komunistëve në një vend si Italia që ishte e lidhur me amerikanët. Por do të thosha se me Togliattin nuk pati asnjëherë një miqësi të vërtetë, më tepër një formë bashkëpunimi për të rindërtuar Italinë dhe krijuar institucionet e para demokratike në një vend të dalë me brinjë të thyera nga lufta. Babai im ankohej edhe për një lloj ambivalence nga ana e Togliatti. Kur ishin bashkë në qeveri ndodhte shpesh që të binin dakord në Këshillin e Ministrave për ndonjë vendim dhe ditën tjetër « L’Unita » të sulmonte babain. Bashkëpunimi mes tyre zgjati shumë pak dhe fushata elektorale e 1948-ës shënoi një thyerje edhe në planin personal. Në fund, Togliatti i mori shëndetin babait.

Me Nenin pati një raport shumë më njerëzor.

Po, jo vetëm pse Nenni ishte më human dhe në një farë sensi, personalisht më afër atij, por edhe sepse kishin qëndruar të fshehur së bashku në kantinat e Seminarit lateranez gjatë pushtimit nazist. Një ditë, pati një grumbullim dhe ata u fshehën në kantinë. Nenni ia këputi: “Ti do thoshe se është Zoti, unë them se është fati, por kësaj radhe do na kapin”. Në fakt nuk i gjetën. Mes tyre ishte zhvilluar një raport më i ngushtë dhe kordial në planin personal, shumë më i mirë se ai me Togliattin. Në ato muaj mes 1942-t dhe 1943-t pati edhe një aludim për bashkëpunim mes socialistëve dhe demokristianëve, të cilit Nenni iu kundërvu sepse ishte i sigurtë që në zgjedhje do të ishin komunistët që do të kishin rezultat më të mirë. Por u gabua. Kur babai im mori vesh se Vittoria, vajza e Nennit kishte vdekur në kampin e përqendrimit në Auschëitz, shkoi personalisht për t’ia dhënë ata lajm të tmerrshëm…

Me hierarkitë katolike nuk pati në fakt raporte përherë idilike. Ishte një njeri që besonte thellësisht në laicitetin e politikës dhe edhe për këtë, në fillim të viteve ’50 pati një raport jo të lehtë e Papa Pio XII. Kontradikta që dolën në sipërfaqe qartë në qershor të vitit 1952, kur babai juaj kërkoi një audiencë me Papën. Çfarë ndodhi saktësisht?

Ishte 30 vjetori i martesës së tij dhe motra ime, Lucia sapo kishte marrë notat(dorëzuar murgeshë). Babai im – që në atë kohë ishte kryeministër dhe ministër i Jashtëm – kërkoi një seancë dëgjimore për të gjithë familjen, përmes ambasadorit tonë në Vatikan, Girogio Mameli, i cili ishte i sigurtë që Papa do të pranonte. Në fakt, disa ditë më pas, erdhi një letër  përgjigje me tone dëshpërues, në të cilën Mameli afirmonte se nuk e kuptonte pse Ati i Shenjtë nuk donte të na priste dhe na siguronte se do të riprovonte. Kjo i shkaktoi një pakënaqësi të madhe babait tim, i cili kishte kërkuar përherë, në çdo mënyrë, të ndante besimin e vet Kristian nga jeta e vet dhe aktiviteti politik. Dhe e bënte këtë ndonëse kristianizmi ishte një parim themelues i partisë së tij.

Ka mundësi që në atë moment Pio XII t’i jetë sugjeruar se nuk do të kishte qenë politikisht e dobishme dhe opurtune pritja e një drejtuesi të një partie që nuk kishte ndjekur në çdo gjë dhe për gjithçka idetë e Papës.

Demokracia Kristiane kishte marrë maksimumin e votave në zgjedhjet e fundit dhe mund të qeveriste e vetme, në fakt nuk e bëri dhe ndoshta fakti se babai im thirri në qeverisje parti të tjera, ishte konsideruar e padrejtë në mjediset e Vatikanit. Por babai eci para. E dinte shumë mirë se italianët nuk kishin votuar për të në mënyrë aq masive për shkak se ishin ngushtësisht demokristianë, por në masë të madhe e kishin bërë vetëm për frikë nga komunistët. Shumë kishin votuar edhe ndarë deri në fund parimet  Demokracisë Kristiane.

Babai ishte një politikan i rafinuar dhe i njihte mirë këto dinamika, kështu që mendoi të merrte në qeverinë e tij forca të tjera politike si liberalët, socialdemokratët, republikanët, sepse përfaqësonin një pjesë të rëndësishme të popullit italian dhe e dinte se mbi ta mund të besonte edhe në një të ardhme. Kjo nuk iu fal nga një pjesë e botës katolike dhe kjo ishte arsyeja kryesore për raportet e vështira me Papa Pio XII. Mund të duket e pabesueshme por në ato vite, si kryeministër nuk e takoi kurrë. Për më tepër që asokohe Papës nuk i afroheshe dot. Babai i shkruajti shumë letra për të cilat nuk mori kurrë ndonjë përgjigje.

Para lufte, në kohën kur punonte në bibliotekën e Vatikanit, babai juaj njohur një të ri që më vonë do të bëhej një bashkëpunëtor i tij i ngushtë dhe nënsekretar i në qeverinë e tij të katërt, më 1947. Ishte Giulio Andreotti.

U takuan për herë të parë kur babai punonte në bibliotekën e Vatikanit, gjatë fashizmit. Andreotti ishte në atë kohë një i ri student, i angazhuar në kërkime për tezën e tij universitare mbi marinën e Papatit. U ndesh me këtë nëpunës që i tha i befasuar: “Nuk mundët të gjenit argumente më të dobishëm dhe seriozë për t’iu dedikuar?”. Andreotti iu përgjigj pak i bezdisur dhe insistoi për të patur vëllimet e kërkuara…Më pas u ripanë, në takimet klandestine që zhvilloheshin në shtëpinë e Giuseppe Spataro, ku punuan për krjimin e Demokracisë Kristiane. Po përgatiteshin për fundin e regjimit.

Babai im çmoi menjëherë talentet e atij të riu dhe nisi t’i besonte detyra përherë e me përgjegjësi më të mëdha. Së pari, lidhjen me eksponentë të rezistencës romane dhe redaksinë e “Il Popolo », që në atë kohë shtypej në klandestinitet, më pas misionet e lidhjes me eksponentë katolikë në Italinë e pushtuar. Në fund, më 1947, e zgjodhi nënsekretar. Babai e konsideronte një njeri politik shumë të vëmendshëm dhe rigoroz.

Kujtoj që kur donte një lajm të sigurtë, ia kërkonte atij, sepse e dinte që mund t’i besonte saktësisë së tij. E kishte të lehtë edhe nga kontaktet e drejtpërdrejta që ka patur përherë me Vatikanin. Pas vdekjes së babait, Andreotti mori një rrugë krejt tjetër dhe nuk patëm më asnjë kontakt.  

Përkthimi, hyrja dhe titulli: Skerdilajd Zaimi 

Comments

Submitted by Anonymous (not verified) on

Ka disa pasaktësi në përkthim.
Te episodi me Nenni-n, fjala "Fato" është përdorur në kuptimin e "Rastit ose Fatit" dhe jo "faktit" që në italisht shkruhet "fatto" me dy T.
Edhe te pjesa ku thotë që e motra, "Lucia sapo kishte marrë notat" përkthimi është gabim sepse shprehja "prendere i voti", në këtë kontekst nënkupton bërjen murgeshë.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.