Luftë hibride edhe ndaj Shqipërisë, thotë SHISH
Dje u raportua në media se kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror Helidon Bendo ka deklaruar në Komisionin Parlamentar të Sigurisë se ndaj Shqipërisë kanë nisur forma të reja të luftës nga shërbime të vendeve jomiqësore. Ndër të tjera, Bendo citohet të jetë shprehur se:
Këto shtete e shërbime jomiqësore me Shqipërinë, përdorin aktivitetet klasike dhe hibride për realizimin e synimeve të tyre. Në veprimtaritë e spiunazhit, ato përdorin një kombinim të metodave të mbyllura dhe të hapura, që përfshijnë propagandën, dezinformimin, sulmet kibernetike, grumbullimin e informacionit sensitiv nëpërmjet ndërhyrjes në rrjetet kompjuterike, për qëllime spiunazhi kibernetik, për të realizuar aktivitete/operacione influence informative dhe psikologjike
Tani, zoti Bendo diçka më shumë se ne duhet të dijë, vetëm se këto fjali që pajtojnë në vetvete elementë të manualeve për format e reja të aktivitetit të shërbimeve inteligjente me prezantimin përherë misterioz të një shefi shërbimi, tingëllojnë si nga ato profecitë që edhe për statistikë qëllon të përmbushen ndonjëherë.
Zoti Bendo na thotë se në Shqipëri ka propagandë, dezinformim, luftë hibride, duke aluduar e hamendësuar se ndaj fortesës Shqiëpri vetëm alienët nuk janë angazhuar.
Ndoshta zoti Bendo sugjeron se çdo qëndrim në media është propagandë, se çdo memem mund të jetë dezinformim dhe aktivitet influencues, ndërkohë që p.sh edhe afera e inceneratorëve mundet të inkuadrohet si pjesë e një loje spiunazhi. E vërteta është kaq e thjeshtë, kaq e përdalë tashmë saqë këto përralla edhe në qofshin reale, duhen injoruar.
ShISh dhe zotëria janë në të vërtetë, në kuptimin praktik drejtori policore e shërbimeve amerikane, të mos hiqemi sikur nuk e kuptojmë kaq. Kur njerëz si zotëria flasin para një Komisioni të një Parlamenti ku ka hyrë me zgjedhje derri dhe dosa, është pak e vështirë të shpresosh aq shumë nga vetja sa ta shohësh edhe njëherë nga fillimi variantin telenovelesk të “Operacionit Zjarri”.
Sepse nëse ka një përpjekje të tilla kaq strukturore, është e paqartë se çfarë e mban stabilitetin e këtij vendi që po zbrazet. Shefi i këtij Bendos, Presidenti aktual, deklaron shpesh se ikja e të rinjve është pjesë e një plani të mirëmenduar. Ne kë të besojmë këtu, sepse ikja ka vite që ndodh, Shqipëria vazhdon e njëjta, As bëhet dhe as prishet, teatri i këtyre patriotëve që kanë zënë radhën, apo kanë hyrë pa radhë në anën e duhur të historisë, vijon po njësoj? Armiqtë po aq armiqësorë sa më parë janë po aty.
Ne nuk dimë as se çfarë është në të vërtetë ky Shërbimi Informativ, çfarë bën e çfarë vlere ka. Dhe më mirë kështu, sepse nëse ka një gjë të pranuar këtu është se as sekrete e as mistere nuk pranon kjo shoqëri. Sepse sekreti në fund të fundit buron të paktën nga një qëllim dhe kodet morale; çfarë sekreti mund të vjedhësh në një vend ku çdo gjë shitet?
s.zaimi
Add new comment