Ethet e pushtetit të përjetshëm përfshijnë edhe Macron-in
Në garë për një mandat të dytë, Emmanuel Macron nuk duket se do të kënaqet me një pesëvjeçar tjetër në krye të presidencës franceze. Në një intervistë për “Point”, ai është shprehur në favor të mandatit shtatëvjeçar (aktualisht mandati i presidentit në Francë është 5 vjet). Macron e konsideron mandatin pesëvjeçar "ndoshta shumë të shkurtër për një epokë presidenciale në Francë”.
"Nuk mund të ketë frymëmarrje demokratike për vetëm pesë vjet, kjo nuk është e përshtatshme për kohën në të cilën jetojmë", shtoi ai. "Një mandat shtatë-vjeçar me zgjedhje të mesit të mandatit, për shembull, do të ndante më mirë ekzekutivin e qeverisë nga ekzekutivi presidencial," tha ai.
Një figurë e qendrës, Macron u zgjodh president në vitin 2017 përballë kandidates së të djathtës ekstreme, Marine Le Pen. Ata përballen sërish në garën presidenciale më 24 prill. Kjo është hera e parë që Macron përmend opsionin e zgjatjes së mandatit presidencial, ndërsa rivalja e tij ka qenë gjithnjë pro një mandati shtatëvjeçar të parinovueshëm.
Sondazhet ndërkohë favorizojnë sërish Macron.
Ndërkohë, në Francë nuk janë pak ata që mendojnë se objektivi i vërtetë i Macron pas mandatit të dytë, i cili është pothuajse i sigurt, është të kërkojë në vitin 2027 për një mandat shtatëvjeçar, i cili do ta linte atë në pallatin Elize deri në vitin 2034. Një skenar që të kujton rastin e Erdogan dhe Putin.
Add new comment