E tha Amerika...
Në një dalje sot në media analisti Mustafa Nano u shpreh pak a shumë se fakti që ShBA po shpall non grata njerëz të politikës duhet të mjaftojë si i tillë. Pra të mos rrëmohet për arsye sepse ShBA është superfuqia e botës dhe kaq mjafton.
Z. Nano nuk është i vetëm në këtë qasje që në të vërtetë duket se i drejtohet amerikanëve sesa shqiptarëve për t’u (stër)thënë se "unë jam pro ShBA".
Nuk është i vetëm në këtë litani gjeopolitike 30 vjeçare e cila nuk ka bërë veçse ka përsëritur atë që ka qindra vjet që ndodh këtu: perandoritë hedhin ca rrënjë në qendër apo bregdet e pastaj veniten si puna e atyre kurtizaneve që lënë pas një kujtim pervers. Amerika është në Tiranë, aty ajo ka fijet e veta të ndikimit, njerëzit e vet, përrallën e vet. Kështu dikur sovjetikët, më parë italianët, e pastaj me radhë. Përtej Tiranës apo Tiranave të ndryshme është e njëjta Shqipëri e inercisë, indiferencës dhe moskokçarjes, konformizmit pragmatist.
Pikërisht sepse këtë prodhojnë Superfuqitë, dinakërinë dhe përshtatjen. Do të ishte ndryshe nëse Amerika si kjo do të imponohej jo me përmasën e vet, as fuqinë, por me modelin dhe drejtësinë. Atëherë ndoshta do të kishte shumëkush të drejtë të fliste për “kohët e bukura”. Ne sot përjetojmë atë realitet të hipokrizisë sistemike të cilin kaq mirë di ta riprodhojë psikoza jonë e servit. Atë realitet të përshkruar dhe kolauduar sot nën emrin e partnerit strategjik, dje të socializmit dhe miqësive të përjetshme, ca më tutje nën dritën e Romës, fermanët e Stambollit.
Ne këtë rol e dimë përmendësh, këtë narrativë psikoterapeutike të kompleksit të te voglit e kemi tonën, ndryshojnë vetëm emrat. Por e vërteta është se shqiptarët përjetojnë periudhën më të gjatë të lirisë së tyre të të menduarit, të paktën si shans, si mundësi edhe krijuese. Si vallë të pranosh atëherë të strukesh pa pyetur dhe dyshuar në emër të patologjive historike te cilat vetë sistemi i sugjeruar nga ShBA ofron t’i korrigjojë pikërisht me ushtrimin e lirisë?
Litani si këto e dëmtojnë më shumë se çdo gjë tjetër edhe atë që quhet miqësi ShBA-Shqipëri e cila rrezikon të rrethohet fillimisht nga indiferenca e mandej nga antipatia, për të mbetur si miqësi e ambasadës me qeverinë. Ndihmojnë këtu edhe thirrjet për superfuqinë si dikur zbarkimi i aleatëve. Dhe shenjat nuk mungojnë.
s.zaimi
Comments
Ky eshte nje hartim i shkruar
Ky eshte nje hartim i shkruar me shume ndjenje kunder imperializmit amerikan. Do ta vendose xhaxhi Saliu te kendi emulacionit.
E kape o qerrata. Mos e lesho
E kape o qerrata. Mos e lesho tani
Heu bre
Redaksi gjigande, Cice Ron fare.
Ta kishe thene ne anglisht se
Ta kishe thene ne anglisht se na duket se kalojme vettingun.
bravo
bravo
Add new comment