Matematika e zgjedhjeve/ Një president i fortë, por më nevojtar për aleatë

Postuar në 08 Prill, 2022 10:16

Rezultati i zgjedhjeve në Serbi më 3 prill ishte ashtu siç e prisnin shumica. Aleksandar Vuçiç fitoi më shumë se bindshëm në raundin e parë presidencial, me 58.65% të votave. Por pjesa interesante janë detajet.

Një analizë e Euractive mbi shifrat pas zgjedhjeve çon në përfundimin se Partia Progresive Serbe (SNS) e Vuçiçit nuk është më qeveria e hekurt e Serbisë. Asaj do t’i duhet detyrimisht të gjejë më shumë se një partner koalicioni për të formuar një qeveri të re.

Për më tepër, kombinimi paszgjedhor ende u jep partive opozitare shansin për të fituar kryeqytetin.

SNS e Vuçiçit drejton Serbinë prej vitit 2012 dhe deri më tani nuk është shfaqur asnjë parti opozitare që mund të kërcënojë seriozisht sundimin e saj. Por shifrat e zgjedhjeve të 3 prillit bindin më pak: krahasuar me vitin 2016, SNS ka humbur rreth 300 000 vota.

Ky është një realitet i ri i pakëndshëm për Vuçiçin, i cili nuk është mësuar të varet nga partnerët e koalicionit.

SNS do të duhet të zgjedhë nëse do të formojë një shumicë të ngushtë në parlament me dy parti të pakicës, apo nëse Partia Socialiste e Serbisë (SPS) do t'i bashkohet qeverisë së re.

SPS, ish-partia e Sllobodan Millosheviçit, është fituesja më e madhe në këto zgjedhje. SPS ka qenë në pushtet që nga viti 2012 në koalicion me SNS, por ata kanë qenë gjithmonë një partner i vogël në qeveri.

Për njëfarë kohe u duk se SPS-ja kishte humbur elektoratin dhe ishte shkrirë me SNS-në, por lideri i saj, Ivica Daçiç, arriti ta diferencojë partinë dhe t'i kthejë reputacionin. Rrjedhimisht, në këto zgjedhje fitoi më shumë vota se në zgjedhjet e 2016-s.

Ndonëse fushatën e tij zgjedhore e ndërtoi me sloganin “Ivica Daçiç – Kryeministër i Serbisë”, kreu i socialistëve ishte shumë më i matur pas shpalljes së rezultateve preliminare të zgjedhjeve, ndoshta sepse është i vetëdijshëm se partia e tij nuk është alternativa e vetme për SNS.

Skenari më real, pra, është mbijetesa e SPS-së në qeveri, e cila varet nga potenciali negociues i Daçiçit dhe, ndoshta edhe më shumë, nga fakti nëse të ashtuquajturit lojtarë të vetos së jashtme, kryesisht SHBA dhe BE, do të ishin dashamirës për ta parë atë në krye të qeverisë.

Fshehja pas opozitës pro-ruse

Në fjalimin e parë pas zgjedhjeve, Vuçiç shprehu keqardhje për zhvendosjen drastike të Serbisë në të djathtë.

I përgëzoj të gjithë konkurrentët politikë dhe do të thoja se ajo që është e rëndësishme për vendin tonë, është se ndikimi i krizës ukrainase është i madh në rezultatet e zgjedhjeve dhe se Serbia është zhvendosur në mënyrë dramatike në të djathtë”, tha Vuçiç.

Megjithatë, krahasuar me 2016, mbështetja e qytetarëve për partitë proruse dhe të djathta nuk është rritur ndjeshëm.

Në vend të ish-Partisë Radikale Serbe, partia më e madhe pro-ruse e krahut të djathtë, anëtar i së cilës ishte Vuçiç deri në vitin 2008, do të hyjnë në parlament partitë e tjera: Zavetnici, Dveri dhe Partia Demokratike e Serbisë qendrore.

Dveri dhe Zavetnici janë parti të krahut të djathtë që konkurruan gjatë fushatës për të treguar servilizëm më të madh ndaj Rusisë, madje Dveri përdori imazhin e Vladimir Putinit në posterat zgjedhorë.

Në anën tjetër të spektrit, koalicioni opozitar pro-evropian "Të Bashkuar për Fitoren e Serbisë" fitoi 37 vende, dhe koalicioni i majtë i gjelbër "Moramo" 13.

Mesazhi se e djathta po forcohet në Serbi i dedikohet më shumë Brukselit: E djathta ekstreme në Parlament po e ndihmon Vuçiçin të paraqitet si një lider i moderuar dhe pro-evropian në Bruksel. Kjo mund ta ndihmojë atë edhe për të justifikuar marrëdhëniet e ngushta me Moskën.

Në ditët e para pas fitores presidenciale, Vuçiç zhvilloi një bisedë telefonike me Vladimir Putin dhe i tha presidentit rus se Serbia do të "vazhdojë të ndjekë politikën e rrugës evropiane duke ruajtur marrëdhëniet e saj dhe tradicionalisht miqësore me Federatën Ruse".

Serbia është i vetmi vend kandidat për në BE që nuk ka respektuar politikën e përbashkët të bllokut të kufizimeve dhe sanksioneve kundër Rusisë.

Përfaqësuesi i Lartë i BE-së Josep Borrell dhe komisioneri për Zgjerim Oliver Varhelyi thanë në një deklaratë të përbashkët të martën se "Bashkimi Evropian pret që Serbia gradualisht të harmonizohet me qëndrimet e Brukselit për çështjen e sanksioneve kundër Rusisë".

Nëse Serbia dëshiron të përparojë në rrugën e saj drejt BE-së, duket gjithnjë e më shumë e mundshme që do t'i duhet t'i bashkohet sanksioneve kundër Rusisë. Anëtarët e Parlamentit Evropian ishin më pak të paqartë, duke thënë se nëse kjo nuk ndodh, Serbia duhet të ndalojë plotësisht negociatat e pranimit.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.