Drejt "tretjes" dosja Khashoggi
Prokurori turk në çështjen kundër 26 shtetasve sauditë të akuzuar për vrasjen e gazetarit të Washington Post, Jamal Khashoggi, bëri një kërkesë të papritur të enjten që gjykimi i tyre në mungesë të pezullohej dhe çështja të transferohej në Arabinë Saudite.
Kolegji i gjyqtarëve nuk mori asnjë vendim për kërkesën e prokurorit, por vendosi që një letër duhet t'i dërgohet Ministrisë së Drejtësisë së Turqisë për opinion mbi transferimin e mundshëm të dosjes tek autoritetet gjyqësore saudite, raportoi agjencia shtetërore Anadolu. Seanca është shtyrë për më 7 prill.
Sipas prokurorit turk, në një letër të datës 13 mars, zyra e kryeprokurorit publik saudit kërkoi që procedurat të transferoheshin nga Turqia në
Arabinë Saudite dhe që urdhrat ndërkombëtarë të arrestit të lëshuar nga Ankaraja kundër të pandehurve të anulohen.
Kërkesa vjen në një moment kur Turqia po përpiqet të normalizojë marrëdhëniet e saj me Arabinë Saudite, në nivelin më të ulët të të gjitha kohërave pas vrasjes së tmerrshme të Khashoggit. Ministri i Jashtëm turk Mevlut Cavusoglu tha në një intervistë të enjten se autoritetet saudite ishin më bashkëpunuese për çështjet gjyqësore me Turqinë, por nuk dha detaje.
Khashoggi u zhduk më 2 tetor 2018, pasi hyri në konsullatën saudite në Stamboll, duke kërkuar dokumente që do ta lejonin të martohej me Hatice Cengiz, një shtetase turke që priste jashtë ndërtesës. Ai nuk doli më kurrë nga konsullata.
Zyrtarët turq pretendojnë se shtetasi saudit, i cili ishte rezident në Shtetet e Bashkuara, u vra dhe më pas u copëtua me sharrë kockash brenda konsullatës. Trupi i tij nuk është gjetur. Para vrasjes së tij, Khashoggi kishte kritikuar ashpër princin e kurorës të Arabisë Saudite në shkrimet e tij për Washington Post.
Autoritetet turke thanë se ai u vra nga një ekip agjentësh sauditë. Ata që po gjykohen në mungesë përfshijnë dy ish ndihmës të princit.
Add new comment