Negociatat, Ukraina kërkon modelin e Austrisë
Negociatat mes Ukrainës dhe Rusisë vijojnë paralel me konfliktin ushtarak. Deri tani, nuk ka rezultate përveç atyre për korridoret humanitare, falë të cilave mijëra ukrainas i largohen zonave të luftimit.
Sipas ndihmësit të presidentit rus, Ukraina ka një propozim konkret për statusin e saj. Vladimir Medinsky thotë se Kievi është gati të pranojë një version neutraliteti të ngjashëm me atë të Austrisë apo Suedisë.
Në thelb, ky është model i një shteti të çmilitarizuar me ushtrinë e vet.
"Ukraina po ofron një version austriak ose suedez të një shteti neutral të çmilitarizuar, por në të njëjtën kohë një shtet me ushtrinë dhe marinën e vet. Të gjitha këto çështje po diskutohen në nivel të udhëheqjeve të ministrive të mbrojtjes të Rusisë dhe Ukrainës", u tha Medinsky gazetarëve.
Megjithatë, ajo që Rusia e cilëson denazifikimi i Ukrainës mbetet në tryezën e bisedimeve.
“Tema e denazifikimit dhe ndëshkimit më të rreptë për glorifikimin e nazizmit, neonazizmit, ekstremizmit është ende një pikë e rëndësishme në axhendën e negociatave”, tha ai, si kusht i Moskës.
Add new comment