Kreu i peshkopëve gjermanë: Kisha duhet të pranojë seksin mes njerëzve të së njëjtës gjini
Kryetari i Konferencës së Peshkopëve Katolikë Gjermanë, Peshkopi Georg Bätzing, i ka kërkon Kishës Katolike të ndryshojë predikimet mbi moralin seksual, duke këmbëngulur se seksi mes njerëzve të së njëjtës gjini nuk e dëmton marrëdhënien e një individi me Zotin.
“Marrëdhëniet e të njëjtit seks nuk kanë asnjë problem”, i tha Peshkopi Bätzing revistës gjermane “Bunte” në numrin e saj të 4 marsit, "për sa kohë që ato kryhen me besnikëri dhe përgjegjësi".
"Kjo nuk ndikon në marrëdhënien e ndonjërit me Zotin," citohet peshkopi nga Catolicworldreport.
Nevojën për ndryshimin e asaj që kisha mëson mbi seksualitetin, peshkopi i Limburgut e motivon me faktin se “askush nuk i ndjek më mësimet e Kishës mbi seksualitetin – që e lejon seksin vetëm në martesë - dhe për këtë arsye "ne duhet të ndryshojmë pjesërisht katekizmin. Seksualiteti është një dhuratë nga Zoti. Nuk është mëkat.”
Bätzing nuk i trazon për herë të parë ujërat e kishës. Vitin e kaluar, ai kundërshtoi publikisht një deklaratë të Vatikanit që ndalonte bekimin e çifteve të të njëjtit seks.
"Unë besoj se ne duhet t’i vlerësojmë ndryshe homoseksualitetin dhe partneritetet jashtë martesës," tha Bätzing në atë kohë. "Në këtë drejtim, unë do të doja të shihja një zhvillim të mëtejshëm të mësimit katolik mbi etikën seksuale", është shprehur ai në atë kohë.
Bätzing tha se njerëzit në marrëdhënie homoseksuale duan bekimin e Kishës dhe Kisha duhet "ta adresojë këtë dëshirë".
"Ne nuk mund t'u përgjigjemi më këtyre pyetjeve thjesht me një "po" ose "jo". Kjo nuk është e mundur," tha ai.
Në mars 2021, zyra doktrinore e Vatikanit (CDF) lëshoi një deklaratë sipas të cilës Kisha nuk ka autoritet të bekojë bashkëjetesën homoseksuale, duke vënë në dukje se Vetë Zoti "nuk e bekon dhe nuk mund ta bekojë mëkatin".
Add new comment