Rusia vë në provë politikat e zgjerimit të BE-së
Moldavia ka kërkuar zyrtarisht të anëtarësohet në Bashkimin Evropian, një javë pasi Rusia hyri ushtarakisht në Ukrainë.
“Sot ne aplikojmë zyrtarisht për anëtarësimin e Republikës së Moldavisë në Bashkimin Evropian. I drejtohet Emmanuel Macron, Presidentit të Francës, vendit që sot mban Presidencën e Këshillit të Bashkimit Evropian. Ne do ta dorëzojmë aplikimin në ditët në vijim në Bruksel”, tha presidentja Maia Sandu në një deklaratë.
"Republika e Moldavisë duhet të ketë një rrugë të qartë evropiane. Ne jemi të gatshëm të bëjmë gjithçka që është e mundur për të arritur këtë qëllim themelor kombëtar," shtoi ajo.
Kërkesa vjen 24 orë pasi një tjetër ish-vend sovjetik, Gjeorgjia, kërkoi anëtarësimin në bllokun prej 27 anëtarësh.
Ukraina, ndërkohë, ka kërkuar që të pranohet me shpejtësi në Union, por ka dyshime nëse të gjitha vendet e BE-së do ta mbështesin zgjerimin.
Moldavia, një shtet i vogël me 2.6 milionë banorë, është ndikuar drejtpërdrejt nga pushtimi rus i Ukrainës. Më shumë se 112 000 refugjatë ukrainas kanë hyrë në vend që kur Moska filloi sulmin më 24 shkurt.
"Pjekuria e një populli shihet më së miri në kohë të vështira. Ajo shihet në vendime të matura, në ekuilibrin midis lirisë dhe përgjegjësisë. Lexohet në qetësinë e vendosur të njerëzve kur rreziku i vërtetë troket në derë", tha Sandu.
Ajo shtoi se "nëse disa vendime kanë nevojë për kohë, të tjerat duhet të merren menjëherë dhe me vendosmëri, duke përdorur mundësitë që ofron peizazhi në ndryshim i botës. Ne duhet të veprojmë menjëherë kur rrethanat e kërkojnë dhe shohim qartë mundësinë për të siguruar një të ardhme më të sigurtë, më të mirë për brezat e ardhshëm. Arritja e këtij qëllimi është detyrë e jona ndaj qytetarëve”.
Add new comment