Wesley K. Clark: NATO duhet të njohë realitetin e ri që krijoi Rusia
Situata në Ukrainë ka krijuar një realitet të ri, të cilin NATO duhet të përgatitet ta njohë. Një Rusi më kundërshtare se më parë kërkon forca shtesë, logjistikë dhe thellimi të bashkëpunimit në sferat joushtarake.
Gjenerali në pension, Wesley K. Clark, ish-komandanti Suprem i Aleatëve të NATO-s, në Evropë, thotë për USA TODAY se sanksionet e Perëndimit mund të jenë efektive, por jo tani për tani.
Cila është lëvizja e radhës e Putinit pasi duket se përpjekjet e tij për të vënë nën kontroll Kievin janë penguar?
Ai do të çojë më shumë forca. Deri më tani ai ka përdorur "detashmente pararojë" për të kuptuar mbrojtjen e Ukrainës dhe për të tentuar të detyrojë qeverinë të dorëzohet. Nuk i ka funksionuar. Tani ai po çon në Ukrainë forcën e tij kryesore, së bashku me forcat bjelloruse. Ai ndoshta do të intensifikojë aktivitetin e tij ajror dhe do të përdorë goditje të rënda artilerie.
Si do të përfundojë lufta? A ka ende mundësi për një zgjidhje diplomatike?
Një zgjidhje diplomatike nuk ka gjasa. Mund të përfundojë me pushtimin e Kievit dhe një qeveri ukrainase në mërgim. Ose mund të përfundojë me një tërheqje ruse për t'u përballur me një operacion tjetër. Ose mund të përfundojë me një kërkesë perëndimore dhe të Kombeve të Bashkuara që Putini nuk mund ta injorojë, për shkak të sanksioneve dhe presionit ndërkombëtar.
Çfarë do të thotë në aspektin praktik aktivizimi i parandalimit bërthamor që Putin lëshoi të dielën?
Ky ishte një mjet për t'i bërë presion Ukrainës në negociatat e mundshme dhe gjithashtu një paralajmërim për Perëndimin që të mos ndërhynte.
A ka mundësi që ukrainasit të fitojnë? Si do të dukej kjo?
Ukrainasit mund të fitojnë nëse moti i ngrohtë, i lagësht dhe logjistika e dobët ruse imobilizojnë forcën ruse dhe ata kanë mjetet për të sulmuar dhe shkatërruar atë forcë. Ukraina gjithashtu mund të fitojë nëse Perëndimi dhe përpjekjet ndërkombëtare e detyrojnë Putinin të tërhiqet.
Cilat janë shanset që konflikti të përshkallëzohet?
Nëse Putini fiton, ai do të shkojë pas objektivave të tij të radhës, Gjeorgjisë dhe shteteve baltike. Kjo do të sjellë përshkallëzim. Në një moment, nëse luftimet në Kiev intensifikohen, SHBA-ja mund të duhet të ndërhyjë edhe nëse rrezikon përshkallëzimin.
A do të jenë efektive sanksionet e lëshuara ndaj Putinit?
Në fund të fundit, sanksionet mund ta ndalin Putinin, por jo menjëherë.
Add new comment