Gjermania bën kthesë 180 gradëshe në politikën e jashtme
Ndërhyrja ushtarake e Rusisë në Ukrainë paraqet një 'pikë kthese' në qasjen që Gjermania ka pasur deri më tani në politikën e jashtme dhe atë të mbrojtjes.
Deri më tani, politika e jashtme e Berlinit bazohej kryesisht në promovimin e paqes nëpërmjet mjeteve diplomatike dhe një hezitim për të investuar në aftësitë e tij ushtarake. Kjo bëri që të ngrinin vetullat aleatët dhe partnerët e Gjermanisë, veçanërisht në momente krizash.
“Duke pasur parasysh pikën e kthesës që përfaqëson agresioni i Putinit, qasja jonë është: Ajo që nevojitet për të siguruar paqen në Evropë do të bëhet”, tha të dielën kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz.
Ditët e kaluara përfaqësojnë një "ndryshim serioz paradigme" në qasjen e Gjermanisë ndaj punëve të jashtme, tha për EURACTIV Stefan Meister, kreu i programit për rendin ndërkombëtar dhe demokracinë në Këshillin Gjerman të Marrëdhënieve me Jashtë.
"Është një luftë që na kërkon të rishikojmë themelet e veprimeve tona të politikës së jashtme," tha ministrja e Jashtme gjermane Annalena Baerbock gjatë fjalimit parlamentar të dielën.
Përpara se lufta në Ukrainë të përshkallëzohej, Gjermania i kishte përqendruar energjitë te zgjidhja diplomatike e situatës dhe refuzonte të çonte armë mbrojtëse në Ukrainë për shkak të "politikës së saj të paqes" dhe qëndrimit kufizues ndaj armëve dhe madje bllokoi dërgesat e armëve nga aleati i saj, Estonia, në Ukrainë.
Në ditët e para pas pushtimit rus, Gjermania vazhdoi t'i përmbahej kësaj qasjeje. Megjithatë, të shtunën mbrëma, qeveria gjermane ndryshoi tërësisht kurs dhe njoftoi se do të dërgonte 1000 armë antitanke dhe 500 raketa.
“Në këtë orë historike, përballë sulmit brutal ndaj Ukrainës, ne do të zgjedhim mbështetje që, përveç angazhimit tonë të madh ekonomik dhe humanitar, tani do të jetë edhe në materiale ushtarake dhe armë”, theksoi Baerbock.
Gjermania ka udhëhequr prej kohësh një linjë më pajtuese ndaj Rusisë, një qasje që daton që nga ish-kancelari Ëilly Brand, i cili hapi rrugën për epokën e afrimit mes Perëndimit me Bashkimin Sovjetik në vitet '70, e cila çoi në Aktin Final të Helsinkit, të cilin tani vetë Rusia e ka shkelur duke sulmuar Ukrainën.
Merkel, e cila udhëhoqi Gjermaninë për 16 vjet, e vijoi këtë traditë.
Berlini i ka rezistuar prej kohësh presionit nga Shtetet e Bashkuara, veçanërisht në kohën e ish-presidentit amerikan Donald Trump, për të rritur shpenzimet e mbrojtjes në 2% të prodhimit të tij ekonomik në dritën e historisë së tij.
Ukraina, megjithatë, ndryshoi gjithçka.
Gjermania është zotuar të investojë përgjithmonë më shumë se 2% të prodhimit të saj të brendshëm bruto në mbrojtje dhe po planifikon të krijojë një fond të posaçëm mbrojtjeje prej 100 miliardë eurosh për të financuar rinovimin e ushtrisë.
Add new comment