20 shkurt, "lideri" i opozitës i rekomandon vetes të shfaqet si antikomunist

Postuar në 20 Shkurt, 2022 13:49

Lulzim Basha, kryetar i Partisë Demokratike, apo asaj çfarë ka mbetur prej saj, ka qenë sot në sheshin “Skënderbej” ku ka firmosur një peticon për dekomunistizimin. Data shënon 20 shkurt dhe ata që kalojnë në këtë vend për të djathtë, e kanë pronësuar atë si të tyren, si përkujtesë të rrëzimit të monumentit të Enver Hoxhës, një simbol i komunizmit.

Në një prononcim z. Basha ndër të tjera tha:

Çdo shoqëri që mendon se dikush nga ne, sado i talentuar, i aftë apo i djallëzuar të jetë, është Zot apo gjysmëzot, përfundon shumë keq. Mesazhi i dytë është një ndjesë në emër të Partisë Demokratike drejtuar së pari të përndjekurve politikë, për premtimet e papërmbushura.

Dhimbja është terapia më e mirë që të mos përsërisim të keqen. Le të jemi dhe sot një familje e përbashkët sic ishim 31 vite më parë, jo vetëm e demokratëve, sepse ky shesh nuk ishte i mbushur vetëm me demokratë, kishte dhe ish-anëtarë të Partisë së Punës, të cilët u bashkuan me demokratët për të shembur kultin e diktatorit.

Të zotohemi që përmes veprimeve tona të mos e lejojmë më kurrë kultin e individit, as në mesin tonë, as mes shqiptarëve. Zoti na ka bërë të barabartë, detyra jonë është t’i japim mundësi të ecë përpara. Askush mes nesh nuk mund të jetë më Zot. Të shtyjmë përpara procesin e dekomunistizimit, me ndihmën edhe të partnerëve ndërkombëtarë. Askush që ka luajtur një rol gjatë diktaturës, të mos ketë më pozita drejtuese në PD

Mesazhi lexohet qartë se shkon për Sali Berishën, kundërshtarin kryesor aktual të Luzlim Bashës, i cili edhe dekomunistizimin na e premton se do ta bëjë me ndihmën e partnerëve ndërkombëtarë. Pra edhe largimin e Berishës po e premton se ja kanë bërë dhuratë në një kontekst komod, ku atij i duhet vetëm të hapë gojën.

A mund të quhet lider, apo drejtues një njeri i tillë? Që flet dhe sillet kështu?!

Sali Berisha gati sa nuk u quajt baba politik nga Lulzim Basha pak kohë më parë, ndërsa sot na shpallet armik i demokracisë. Kalime të tilla, edhe kur janë thjesht retorike, bëhen me lehtësi vetëm nga njerëz që nuk besojnë në asgjë, as te vetja e tyre, e të cilët gjallimin e supozojnë si ekzistencë politike.

Përndryshe, një njeri serioz do të pranonte publikisht se që nga viti 2005 e më pas ka marrë pjesë aktive në kultivimin e një kulti të Sali Berishës në PD, se më tej nuk ka kuptuar rolin e tij në Diktaturë e për të mbërrtiur në domosdoshmërinë e një ndjese të madhe edhe për mëkatin se ka qenë kryeleshkoja më me fat në këtë vend.

Loja e zotërisë ngjan identikisht me lojën e kundërshtarit që sot ka përballë, të cilit pasi iu desh të dilte në betejë, e shpalli Bashën gënjeshtar, të paaftë e të kapur.

Çfarë lloj lufte politike mund të quhet kjo? Cilat epitete u përshtaten në kësi raste njerëzve të tillë?

Zoti Basha premton ndryshimin, revolucion e përparim, ai premton xhanëm çdo gjë sa ka garancinë e amerikanëve që po investojnë në atrofizimin mendor e intelektual të këtij vendi, të cilit i duhet të pranojë për lider opozite dikë vetëm pse e kanë zgjedhur ata apo u duhet atyre, pavarësisht se çfarë mykëtire mendore manifeston.

Ne mund të pyesim si vallë nuk pati kjo SHBA dikë që të ketë integritet në anën e saj? Pse përherë janë partnerë të saj njerëz që kanë patjetër një njollë? Sigurisht, sepse vetëm ata shërbejnë, pa zë e duke përsëritur idiotizma të këtij niveli, pasi politika e SHBA këtu është vetëm të ketë një kasolle ku të pëgërët e saj të strehohen duke bërë sikur nuk u ndihet era.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.