Lumenjtë janë plot me mbetje farmaceutike

Postuar në 15 Shkurt, 2022 07:59

Nga Amazona te Tamizi, nga Misisipi në Mekong: lumenjtë e të gjitha kontinenteve tani janë të ndotur nga droga dhe janë rrezik për mjedisin dhe shëndetin e njerëzve. Në ujërat e tyre janë zbuluar dhjetëra substanca: në masën më të madhe karbamazepina, e përdorur për epilepsinë dhe metformina, e përdorur kundër diabetit.

Rezultatet kanë dalë nga një hulumtim i kryer në mostrat e ujit të marra në mbi një mijë vende përgjatë 258 lumenjve në 104 vende dhe të kushtëzuara nga zakonet e jetesës së mbi 471 milionë njerëzve. Studimi, i koordinuar nga Universiteti Britanik i Jorkut, është publikuar në revistën e Akademisë Amerikane të Shkencave (PNAS).

 Puna u krye në bashkëpunim me 127 studiues nga 86 institucione shkencore në mbarë botën si pjesë e 'Projektit Global të Monitorimit të Farmaceutikëve': iniciativa është zgjeruar ndjeshëm në dy vitet e fundit, për të prodhuar këtë studim, i pari i kryer me të vërtetë në një shkallë globale për të vlerësuar ndotjen e mjedisit për shkak të barnave.

Në fakt, studiuesit ekzaminuan lumenjtë e më shumë se gjysmës së vendeve në botë, 36 prej të cilëve nuk ishin vlerësuar kurrë më parë për praninë e mbetjeve farmaceutike. Mostrat e ujit u morën në vendet më të ndryshme: në një fshat të indianëve Yanomami në Venezuelë (ku nuk përdoren ilaçe) si dhe në qytetet më të populluara të planetit, si Delhi, Nju Jork dhe Guangzhou. Studimi madje përfshin disa zona të karakterizuara nga paqëndrueshmëri e fortë politike, si rajoni i Bagdadit dhe Bregu Perëndimor.

Rezultatet e analizave tregojnë se lumenjtë më të kontaminuar gjenden në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme, veçanërisht në zonat ku neglizhohet menaxhimi i mbetjeve dhe ujërave të zeza. Nivelet e larta të ndotjes lidhen me rajonet ku mosha mesatare e popullsisë është më e avancuar dhe ku shkalla e papunësisë dhe varfërisë është më e lartë.

Nga 61 substancat e monitoruara, 53 u gjetën në të paktën një vend kampionimi: nga këto, 4 u vëzhguan në të gjitha kontinentet.

Karbamazepina u gjet në 62% të mostrave (d.m.th. në 652 vende në të gjitha kontinentet përveç Antarktidës), e ndjekur nga metformina (50%) dhe kafeina (50%). Përqendrimet më të larta në total të përbërësve aktivë farmaceutikë u vunë re në Afrikën Sub-Sahariane, Azinë Jugore dhe Amerikën e Jugut. Vendi më i kontaminuar në botë është ai i La Paz-it në Bolivi, përgjatë lumit Rio Seke, me një përqendrim 115 herë më të lartë se ai i lumit East në Nju-Jork. Numri më i madh i substancave (34) u gjet në lumin Kai Tak në Hong Kong. Ndërsa Islanda është i vetmi vend ku nuk u gjet as një nga 61 substancat e testuara. Në përgjithësi, një e katërta e të gjitha vendeve të monitoruara kanë të paktën një substancë farmaceutike mbi nivelin e konsideruar të sigurt për ekosistemin ujor dhe për rrezikun e zhvillimit të rezistencës ndaj antibiotikëve.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.