Putin nuk do të pushtojë
Leon Aron, analist në American Enterprise Institute në Uashington, një njohës i mirë i Rusisë, mendon se Vladimir Putin nuk do ta pushtojë Ukrainën. Ose të paktën nuk ka gjasa për një aksion ushtarak në shkallë të gjerë nisur nga disa arsye objektive që kanë të bëjnë edhe me historinë e afërt të Rusisë.
Putin ka nevojë për këto lloj kërcënimesh në funksion të mbështetjes së popullaritetit të brendshëm të regjimit të tij…Ai beson se misioni I tij është të rivendosë respektin për Rusinë. Kërkesat e tij të tanishme synojnë prapakthimin e avancimit të NATO-s drejt Rusisë…dhe mendoj se ai do të fabrikojë këto lloj krizash sërish
shprehet Aron në një intervistë për gazetën greke “Kathimerini”.
Sipas tij, Putin kërkon restaurimin e kufijve sovjetikë, në kuptimin që vendet e Traktatit të Varshavës duhet të jenë në sferën ruse të ndikimit, ndërkohë që vende me rëndësi kyçe si Ukraina duhet të jenë në një farë mënyre në kontrollin e Kremlinit.
Për sa i përket eventualitetit të një konflikti të madh siç po parashikohet, Aron thotë se për arsye të Afganistanit dhe faktit se tashmë Rusinë e kontrollojnë ish-oficerët e KGB-së të viteve ’70-’80, pra njerëz realistë në planin politik, një përballje e madhe nuk është e mundshme. Ndonëse një goditje e shpejtë me rezultat imediat nuk përjashtohet aspak.
Rusët e pëlqejnë kur Putin fitoj shpejt dhe në mënyrë elegante, me pak dëme, si në Krime. Por ata do të jenë menjëherë kundër çdo lufte që domtë rezultojë në dëme të mëdha. Fillimisht ushtria ruse do ta dërrmojë ushtrinë ukrainase, por më pas duhet mbajtur territori. Dhe nëse kjo do të rezultojë në një Afganistan të dytë, rusët do të reagojnë. Populli rus sot është brezi i Afganistanit, kanë veteranë në familje. Ka mes tyre nga ata që kanë humbur burrat, vëllezërit, ndaj ai nuk do të pushtojë…E imagjinoni një luftë guerrile në vende si Kharkovi, një qytet me 1.5 milionë banorë?
është shprehur analisti në fjalë.
Add new comment