Deklaratë e përbashkët ruso-kineze: Perëndimi të pranojë se bota është multipolare
Duket se dështimet e njëpasnjëshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në arenën ndërkombëtare në 30 vitet e fundit, kompensuar nga një arrogancë e pakuptimtë, ka prodhuar një realitet të paktën dypolar në botë. Rusia dhe Kina kanë dalë së fundmi, konkretisht më 4 shkurt të këtij viti me në deklaratë të përbashkët që ka si objekt “marrëdhëniet ndërkombëtare që po hyjnë në një erë të re”.
Deklarata mban firmën e dy presidentëve përkatës, atij kinez, Xi Jinping dhe atij rus, Vladimir Putin duke konfirmuar kështu se Kina dhe Rusia, dy rivalë natyralë, janë bashkuar në një optikë për zhvillimin e rendit botëror të cilin e shohin në planin taktik tek nevoja për të kufizuar e mandej bindur Perëndimin në faktin se hegjemonia e tij ka marrë fund dhe se bota duhet të normalizojë raportet multipolare.
Dokumenti ndahet në disa pika bazë që nisin me demokracinë “si vlerë universale”, mbrojtja e së cilës është përgjegjësi e komunitetit ndërkombëtar, por pa pranuar imponimin e kritereve nga “shteteve të caktuara” dhe duke konsideruar specifikat e çdo vendi.
Çështja e të drejtave dhe paqes zë vendin e dytë, përherë në sensin e ekuilibrimit mes ruajtjes së tyre dhe mosndërhyrjes në punët e brendshme të shteteve. Pala ruse njeh dhe pranon nocionin e propozuar nga pala kineze të “një komuniteti të një fati të përbashkët për njerëzimin” duke nënvizuar në këtë kuadër domosdoshmërinë e aksesit të barabartë në teknologjinë e re, nevojën e dialogut për inteligjencën artificiale, konsensusin për një botë pa armë kimike dhe kufizimin apo kontrollin e zhvillimit të armëve biologjike.
Në vështrim këtu vjen çështja shumë delikate e sigurisë që ka bërë bashkë Kinën dhe Rusiën, vende që operojnë në një botë të dominuar nga rregullat e tregut, por që edhe si e tillë atyre u është mohuar e drejta për ekspansion paqësor. Një botë liberale që refuzon të liberalizonë në praktikë konkurencën duke aktualizuar përherë e më shumë opsionin ushtarak.
Palët i kundërvihen zgjerimit të mëtejshëm të NATO-s dhe i bëjnë thirrje kësaj të fundit të heqë dorë nga qasjet e veta të ideologjizuara të Luftës së Ftohtë, të respektojë sovranitetin, sigurinë dhe interesat e vendeve të tjera, diversitetin e sfondit të tyre qytetërimor, kulturor dhe historik dhe të ushtrojë një sjellje objektive dhe të ndershme kujdrejt zhvillimit paqësor të shteteve të tjera. Palët i kundërvihen krijimit të blloqeve të mbyllura dhe kampeve kundërshtare në rajonin e Paqësorit Aziatik dhe mbeten jashtëzakonisht të vëmendshme ndaj ndikimeve negative të strategjisë të ShBA-ve për Indo-Paqësorin
thuhet në deklaratë.
Tërheqja e ShBA nga traktatet e kufizimit të armëve të shkatërrimit në masë, derdhja nga Japonia në Paqësor e ujërave të kontaminuara të Fukushimës si dhe paktri tripalës ShBA-Britani e Madhe -Australi, janë të tjera pika që konsiderohen si shqetësuese. Nuk është e qartë sesi ky qëndrim do të përkthehet në politika të përbashkëta, por ajo që duket qartë është:
1. Një optikë e ndryshme nga Perëndimi për të ardhmen
2. Krijimi i poleve ekonomiko-ushtarakë që kanë kapacitetin dhe tashmë vullnetin për të rishikuar rendin botëror dhe eliminuar ekskluzivitetin e Perëndimit
3. Rikthimi i gjeopolitikës në botë në manifestimin e saj si rivalitet strukturor, por jo sistemik përderisa ballafaqimi i dekadës së fundit e ka shndërruar edhe vetë relevancën e vlerave demokratike në Perëndim
Kina dhe Rusia po bashkojnë forcat për të siguruar së pari shmangien e aventurave me pasoja afatgjata në Ukrainë dhe Bjellorusi dhe në Tajvan dhe Paqësor për Kinën. I vetmi element pozitiv i kësaj që ka ndodhur është se të dyja vendet afirmojnë një bllok që duhet konsideruar e ndaj të cilit do të duhet një strategji që deri më tani nuk ka ekzistuar edhe pse në frymën e vet deklarata përsërit disa herë se “bota e sotme është më shumë se kurrë e ndërvarur”.
s.zaimi
Comments
Xiu dhe Putini dolen me
Xiu dhe Putini dolen me deklaraten: perendimi duhet ta pranoje sefundemi, qe bota eshte shume polare!
Add new comment