SHBA dhe NATO, paketë kërkesash për Rusinë 

Postuar në 27 Janar, 2022 14:41

SHBA dhe NATO i kanë dërguar Moskës një paketë kërkesash, të cilat përmblidhen në tri fusha, që kanë të bëjnë me marrëdhëniet NATO-Rusi, sigurinë evropiane dhe kontrollin e armëve. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se Rusia i ka ndërprerë marrëdhëniet diplomatike me NATO-n dhe e ka bërë dialogun edhe më të vështirë.

"Ne duhet të rivendosim zyrat në Moskë dhe Bruksel. Ne gjithashtu duhet të përmirësojmë kanalet e komunikimit midis forcave të NATO-s dhe ushtrisë ruse në mënyrë që të promovojmë transparencën në punën tonë, por edhe të zvogëlojmë rreziqet. Rusia gjithashtu duhet të tërheqë forcat e saj nga Ukraina, Gjeorgjia dhe Moldavia, ku aktualisht janë të dislokuar pa pëlqimin e këtyre vendeve”, tha Stoltenberg.

Kur bëhet fjalë për kontrollin e armëve, Stoltenberg thekson se historia ka treguar se masat praktike në këtë fushë mund të bëjnë një ndryshim të rëndësishëm dhe të përmirësojnë marrëdhëniet midis vendeve.

"Ne propozojmë takime të përbashkëta mbi stërvitjet dhe politikën bërthamore që do të diskutohen në Këshillin NATO-Rusi. Është gjithashtu i nevojshëm modernizimi i Dokumentit të Vjenës për Transparencën Ushtarake dhe puna për reduktimin e kërcënimeve kibernetike", tha ai.

Lidhur me kontrollin e armëve, Stoltenberg tha se Rusia dhe NATO duhet të zhvillojnë bisedime serioze. "Aleatët janë të gatshëm të mbajnë një takim sa më shpejt të jetë e mundur. NATO është një aleancë mbrojtëse dhe ne nuk po kërkojmë konfrontim. Megjithatë, ne nuk mund dhe nuk do të bëjmë kompromis mbi parimet mbi të cilat bazohet siguria jonë, siguria e Evropës dhe e Shteteve të Bashkuara”, tha Stoltenberg.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s iu referua edhe vendosjes së trupave shtesë të NATO-s në Evropën Lindore dhe tha se diplomacia është prioritet, por se të gjitha vendet duhet të jenë të gatshme për skenarin më të keq.

"Paralelisht me përpjekjet tona diplomatike, ne po përmirësojmë gatishmërinë e forcave tona. Ne kemi rritur praninë në zonat e Balltikut dhe Detit të Zi me më shumë anije dhe avionë. Ne gjithashtu kemi trupa shtesë mbështetëse që mund të dislokohen në pozicionet kyçe në afatshkurtër. Është vendim i Këshillit të Atlantikut të Veriut”, tha ai.

Në fund, ai pranoi se është e kotë të fshihet fakti që pozicionet e Rusisë dhe Perëndimit janë ende shumë larg njëra-tjetrës.

"Një zgjidhje politike është ende e mundur, por Rusia duhet të angazhohet dhe të përpiqet realisht të qetësojë tensionet. Ne kemi dhënë propozimet tona dhe jemi të gatshëm të dëgjojmë palën ruse. Për sa i përket anëtarësimit në NATO të vendeve si Ukraina dhe Gjeorgjia, ne e kemi bërë të qartë se nuk bëjmë kompromis. Ky është parimi bazë i sigurisë evropiane. Ne nuk jemi naivë, çfarëdo që të biem dakord me Rusinë në formate të ndryshme duhet të jetë e ekuilibruar dhe plotësisht reciproke", përfundoi Stoltenberg.

Kërkesat e NATO-s dhe SHBA vijnë vetëm pak ditë pasi sekretari amerikan i shtetit, Antony Blinken, tha se Shtetet e Bashkuara i kanë kthyer Moskës përgjigje për kërkesat e saj të sigurisë.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.