Presidenti i Republikës akuzon Kryeministrin për vrasje
Vrasja në Shqipëri është shndërruar në viktimë të karnevalit politik. Për 21 janarin po thurren gjithfarë skenarësh dhe shpjegimesh që relativizojnë tezën e propaganduar nga PS-ja se katër protestuesit i vrau Sali Berisha. Në një intervistë per EuroNeës, presidenti i Republikës, Ilir Meta, ndër të tjera tha se:
Ata qytetarë i ka vrarë Rama bashkë me Bashën. Nuk e kisha ndërmend që të jepja dorëheqjen, pasi nuk mendoja se do shkonte në atë mënyrë. Te Blendi Fevziu them që s’kam ndërmend të jap dorëheqjen. Në mëngjes më bie zilja te shtëpia. Vjen një haber, nga ata miqtë e mi të vjetër dhe të rinj. Më thotë mua, shiko, vlerësoje pak më mirë këtë situatë, pasi planifikohen të bëhen vrasje në protestën. Ti s’duhet të jesh në zyrë.
Ma sollën haberin miqtë e mi matanë oqeanit. Shkova te Berisha dhe i thashë se duhet t’i kërkojmë prokurorisë ta ndjekim këtë çështje sepse ata kanë planifikuar të vrasin njerëz në protestë…Unë nuk them nëse përfitonte ose jo, unë them që atyre u interesonte që ndodhte ajo që ndodhi
Kështu pak ditë pasi Lulzim Basha në cilësinë e kryetarit të PD-së, akuzoi hapur ish-kryeministrin Sali Berisha si urdhërues të vrasjeve më 21 janar 2011, presidenti i vendit, protagonist i videos për të cilën formalisht u bë protesta e 21 janarit, akuzon sot kryeminstrin e vendit dhe kreun e PD-së se janë përgjegjës për katër viktima.
Z. Meta i deklaron këto akuza të rënda ndërkohë që pritet vendimi i Gjykatës Kushtetuese, duke ushqyer mesa duket idenë e një lufte totale që do të relativizonte edhe shkarkimin eventual të tij. Përndryshe, në një vend normal, akuza në fjalë duhet të shoqërohet me hapjen e një hetimi urgjent penal, sidomos tani, kur kryeministri Edi Rama na siguroi se PS-ja e çliroi drejtësinë për të hetuar e lirë atë që ak e quan krimi shtetëror i 21 janarit.
Add new comment