Në "referendum" legalizimi i kanabisit, amnistia fiskale dhe shkarkimet nga Vettingu!!!
Kryeministri i Shqipërisë ka ideuar një nismë të re të cilën e quan Këshillim Kombëtar. Z. Rama do t’u drejtohet shqiptarëve siç thotë me 12 pyetje që sipas tij do të rivendosin bazat e një bashkëqeverisjeje dhe do të zgjidhin sipas tij keqkuptimet e mëdha të politikës. Kryeministri ka dalë përditë për ta promovuar si nismë, e cila ndërtohet me frazën nistore: Ka njerëz që thonë se…
Kemi parasysh kryeministrin që akuzon mediat se ndërton premisa diskutimi mbi thashethemet, mbi atë që “thonë se”, ndërkohë që sot, sondizmi që po shërben si premisë është pikërisht sinteza opininale në media. Përtej kësaj, të ndalemi te disa pyetje:
Ka njerëz që thonë se emigrantëve shqiptarë që duan të depozitojnë në Shqipëri kursimet e tyre duhet t’u jepet amnisti e plotë. Të tjerë thonë se depozitimet në vendin tonë të kursimeve të punës në emigracion nuk duhen inkurajuar përmes amnistisë. Si mendoni ju?
Pyetja tjetër:
Ka njerëz që thonë se Shqipëria duhet të lejojë kultivimin, përpunimin dhe eksportimin e kontrolluar nga shteti të kanabisit për qëllime mjekësore, pa e legalizuar për arsye përdorimi vetjak. Të tjerë thonë që kanabisi nuk duhet të lejohet as për qëllime mjekësore. Si mendoni ju?
Pyetja tjetër:
Ka njerëz që thonë se gjyqtarët dhe prokurorët, që nuk kanë kaluar ende Vetingun, duhet të pezullohen automatikisht nga sistemi i drejtësisë nëse vendimmarrjet e tyre janë haptazi në kundërshtim me ligjin. Të tjerë thonë se pezullimi dhe përjashtimi nga sistemi duhet të kryhet sipas procedurave në fuqi. Si mendoni ju?
Zoti Rama po kërkon këtu që të tematizojë në mënyrë populiste, çështje që janë ekskluzivitet i vendimmarrjes politike dhe institucionale. Çështje për të cilat kërkohet ekspertizë. Zoti Rama po kërkon mbështetje për amnistinë fiskale, e cila nëse kalon do të miratohet me kleçka juridike të shpikura për nevoja të caktuara, nën okelion e mbështetjes popullore.
Si mund të pyetet populli, apo qytetarët për legalizimin e kanabisit dhe më keq akoma, si mund të ketë një ide të qartë një qytetar për mënyrën si duhet të nxirret nga sistemi një gjyqtar apo prokuror që nuk ka kaluar vettingun? Si mundet të ndodhë kjo kur ne për çdo akt legjislativ kemi atë që quhet përafrimi me legjislacionin europian dhe kur kemi kaq vite me një reforëm në drejtësi të asistuar nga partnerë të huaj?
Lodrat me sondazhe referendare u testuan gjetkë dhe dhanë produkte të diskutueshme. Mjafton të shohim BREXIT, ndaj të shtrosh këto pyetje në “rrugë” është të bësh një marifet për të cilin nuk do të marrësh kosto në diskutimin publik politik. Mjaftojnë edhe vetëm këto lojëra që prekin të ardhmen e një vendi dhe që ilustrojnë se ku ka mbërritur nevoja e kësaj qeverie për të kuptuar se një opozitë e re është emergjencë dhe jo më aventurë. Nuk është fjala vetëm për bllokimin apo jo të disa nismave si kjo, është çështja te banalizimi dhe relativizimi i vlerës së institucioneve, të cilat për paradoks, z. Rama edhe kur i ka të gjitha nën kontroll, i rrinë skiç me interesat e veta. Kaq i madh duket arbitrariteti dhe artificialiteti i tyre. Dhe kjo është provë e terrenit ku ka rrëshkitur qeverisja e këtij vendi.
s.zaimi
Add new comment