Oxfam: "Dhuna ekonomike" u dyfishua gjatë pandemisë

Postuar në 17 Janar, 2022 08:32

Përgjatë dy viteve, virusi SARS-CoV-2 nuk ka kursyer shumicën e njerëzve të globit, e megjithatë në terma të ekonomisë, pabarazitë veçse janë thelluar. Sipas një raporti të Oxfam, gjatë këtyre dy viteve, 10 njerëzit më të pasur të botës e dyfishuan pasurinë e tyre, nga 700 miliardë dollarë në 1.5 trilion dollarë, me një normë mesatare prej 1.3 miliardë dollarë në ditë.

Konkluzionet e raportit u bënë publike përpara një mini-samiti virtual të liderëve të botës që organizohet nga Forumi Ekonomik Botëror.

Oxfam thotë se pasuria e miliarderëve u rrit më shumë gjatë pandemisë sesa në 14 vitet e mëparshme, kohë gjatë së cilës ekonomia botërore u përball me recesionin më të madh që nga kriza e vitit 1929.

Në raport, kjo pabarazi e etiketuar si "dhunë ekonomike" po kontribuon në vdekjen e 21 000 njerëzve çdo ditë për shkak të mungesës së aksesit në kujdesin shëndetësor, dhunës me bazë gjinore, urisë dhe ndryshimeve klimatike.

Pandemia ka zhytur 160 milionë njerëz në varfëri. Ajo rëndon më shumë te pakicat etnike me ngjyrë dhe gratë.

Oxfam thekson domosdoshmërinë e reformave tatimore për të financuar prodhimin mbarëbotëror të vaksinave, si dhe kujdesin shëndetësor, përshtatjen klimatike dhe reduktimin e dhunës me bazë gjinore për të ndihmuar në shpëtimin e jetëve.

Raporti është hartuar mbi përllogaritjet e pasurisë nga burimet më të përditësuara dhe gjithëpërfshirëse të të dhënave në dispozicion dhe ka përdorur listën e “Forbes” për miliarderët e vitit 2021. Kjo e fundit renditi si më të pasurit në botë: shefin e Tesla dhe SpaceX, Elon Musk; Jeff Bezos i Amazon; themeluesit e Google, Larry Page dhe Sergey Brin; Mark Zuckerberg i Facebook, ish-drejtorët ekzekutivë të Microsoft, Bill Gates dhe Steve Ballmer; ish-CEO i Oracle, Larry Ellison; investitori amerikan Warren Buffet dhe kreu i grupit francez të luksit LVMH, Bernard Arnault.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.