Eric Zemmour shpalos platformën e Ripushtimit
Hyrja e Eric Zemmour në garën presidenciale të Francës u shoqërua me vëmendje të madhe mediatike brenda dhe jashtë vendit. Duket se kjo është e destinuar ta shoqërojë për shkak të profilit të tij, por edhe premtimeve që ka nisur të shpalosë. Një nga figurat më të zëshme të ekstremit të djathtë, Zemmour prezantoi të dielën nismën e tij politike, Reconquete (ripushtimi), një emër që evokon periudhën historike të njohur si Reconquista, kur forcat e krishtera dëbuan sundimtarët myslimanë nga Gadishulli Iberik.
“Nëse unë i fitoj këto zgjedhje, fitorja nuk do të jetë një tjetër rotacion i pushtetit, por një ripushtim i vendit më të madh në botë”, tha Zemmour në një fjalim gati një orë e gjysmë.
Zemmour premtoi uljen e imigracionit dhe taksave, ndërsa u mbështet nga 15 000 të pranishëm sipas organizatorëve të takimit (rreth 10 000 sipas Reuters).
Gjatë takimit nuk munguan përplasjet mes mbështetësve të tij dhe disa protestuesve antiracizëm. Pesë nga këta të fundit mbetën të plagosur.
Edhe vetë Zemmour u bë objektiv i një incidenti, kur një nga të pranishmit e sulmoi. Pasoja ishte një lëndim që sipas Le Monde do t’i kërkojë atij disa ditë pushim.
Deklaratat provokuese
Ish-gazetari dhe analisti u dha fund spekulimeve për kandidimin një javë më parë, kur shpalli kandidaturën përmes një videoje të postuar online.
Zemmour, i cili është dënuar për nxitje të urrejtjes racore, është sfiduesi më i fortë i figurës së të djathtës ekstreme, Marine Le Pen, për një vend në raundin e dytë të balotazhit të zgjedhjeve të prillit të ardhshëm, me shumë gjasa përballë presidentit Emmanuel Macron, që kërkon një mandat të dytë.
I njohur për deklaratat provokuese kundër Islamit dhe emigracionit, ai ka fituar përkrahje si nga baza e votuesve të Le Pen, por edhe nga e djathta konservatore tradicionale.
Zemmour premton se do ta zerojë imigracionin nëse zgjidhet dhe do të ulë taksat për klasën punëtore dhe kompanitë, duke hequr tatimin mbi trashëgiminë për bizneset familjare. Në pikëpamje të polikës së jashtme, ai tha se do ta tërheqë Francën nga komanda e integruar ushtarake e Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut.
Add new comment