“Nuk jam as shenjtor, as kriminel”
Ish-kancelari karizmatik austriak, Sebastian Kurz, njoftoi të enjten shkëputjen nga politika, për një pozicion pune në sektorin privat.
“Gjithmonë kam bërë më të mirën dhe kam bërë gjithçka që mundesha”, tha Kurz, në fjalimin e transmetuar drejtpërdrejt në televizionin austriak.
Lëvizja e papritur ndërpret një nga karrierat më të pagjasa në historinë e politikës evropiane.
Ai hyri në skenën politike të Austrisë një dekadë më parë, kur ai ishte vetëm 24 vjeç, kur braktisi universitetin me një stil dhe dinamizëm që tërhoqi menjëherë mbështetës jashtë bazës tradicionale të partisë së qendrës së djathtë. Një njohës i medias, i aftë në përdorimin e hijeshisë djaloshare për të tërhequr instinktet konservatore të Austrisë, Kurz e përdori frikën e vendit për migrimin dhe Islamin, për të nxitur ngritjen e tij.
Duke përkrahur linjën e ashpër kundër migracionit, ai u bë kancelar kur ishte vetëm 31 vjeç, duke u bërë kështu lideri më i ri në Evropë dhe shumë shpejt një yll në politikën e kontinentit të vjetër.
Kurz e shpjegoi vendimin për t'i dhënë fund karrierës së tij politike dhjetëvjeçare, duke thënë se pasioni i zjarrtë që ai kishte ndier dikur për politikën është shuar dhe se do t'i kushtohet djalit të tij të porsalindur. Ai shtoi se është ndjerë shënjestër.
“Nuk jam as shenjtor, as kriminel,” tha ai.
Kurz përballet me një hetim penal për dëshmi të rreme, shantazh dhe shkelje të besimit (akuza që ai i mohon) në lidhje me një skandal politik gjithëpërfshirës që ka të bëjë me manipulimin e sondazheve, pagesat për gazetarët dhe një sistem të ndërlikuar patronazhi që prokurorët thonë se ai e kishte organizuar.
Pas dorëheqjes si kancelar, Kurz, 35 vjeç, mbante ende kreun e Partisë Popullore Austriake dhe atë të kreut të grupit të saj parlamentar, një pozicion i fuqishëm që shumë besonin se ai do ta përdorte për t'u bërë një lloj kancelari në hije. Por në vend të kësaj, Kurz zgjodhi të hidhte një tjetër “granatë dore” në arenën politike. Lëvizja e tij tronditëse të enjten shkaktoi një reagim zinxhir që brenda ditës çoi në dorëheqjen e pasuesit të tij si kancelar, Alexander Schallenberg, dhe në një riorganizim më të gjerë të kabinetit. Schallenberg, i cili me ngurrim hoqi dorë nga puna e tij e mëparshme si ministër i jashtëm për të marrë postin që la vakant Kurz në tetor, tha në një deklaratë se donte t'i hapte rrugë udhëheqësit të ri të Partisë Popullore (në Austri, kancelari tradicionalisht ka qenë edhe kreu i një partie).
Nga e enjtja, kreu i ri i partisë pritet të jetë ministri i Brendshëm, Karl Nehammer, i cili më pas do të jetë gati të bëhet kancelari i gjashtë i vendit në pesë vjet.
Add new comment