Defaktorizimi i një nisme personale si Ballkani i Hapur!
Bashkimi Europian ka një përfaqësues të posaçëm për dialogun Serbi-Kosovë: Miroslav Lajçak.
SHBA ka një të dërguar të posaçëm për Ballkanin Perëndimor: Gabriel Escobar.
Pak vite më parë edhe Gjermania caktoi një të Dërguar të Posaçëm për Maqedoninë: Johannes Haindl.
E kotë të numërohen nismat për Ballkanin Perëndimor, ndërmarrë në dekadat e fundit. Asnjë nuk ka funksionuar. Diplomacia perëndimore vepron shpejt tani që ka të dhëna për probleme të stabilitetit dhe konflikteve të armatosura. Të dërguarit e posaçëm janë njerëz me kredenciale të caktuara dhe kanë të mirën se anashkalojnë burokracitë e zakonshme diplomatike. Prezenca e tyre flet për probleme të mëdha dhe nevojën e mbikëqyrjes së veçantë.
Pyetja që shtrohet në këtë kontekst është: çfarë kuptimi ka një nismë e brendshme si Ballkani i Hapur? Tani që fuqitë e mëdha po parathonë eventualitetin e një konflikti cili është roli i kësaj nisme që asnjëherë nuk u kuptua?
Retë po grumbullohen sërish mbi Ballkan dhe mund të parandjehet se ata që do të përcaktojnë të ardhmen janë sërish jashtë rajonit. Janë po këta që në finale defaktorizojnë një nismë si Ballkani i Hapur që teksa flet për paqe e dialog, po përgënjeshtrohet nga ligjërimi mbi luftën që të mëdhenjtë po bëjnë.
Mbetet për t’u parë sesi e ardhmja do të provojë neutralitetin ushtarak të Serbisë, moderacionin e Shqipërisë së NATO-s dhe akrobacitë e Maqedonisë së Veriut.
Add new comment