Raketat supersonike kineze zënë në befasi Amerikën

Postuar në 01 Dhjetor, 2021 14:20

Edhe pse Biden e kundërshton idenë se mes SHBA dhe Kinës po zhvillohet një Luftë e re e Ftohtë, gjeneralët në Pentagon mendojnë ndryshe. Ata thonë se mes dy vendeve ka nisur "një garë armatimi dhe kinezët po e bëjnë atë në mënyrë shumë agresive". Ndërsa SHBA luftonte në Irak dhe Afganistan, Kina e ka çuar përpara ambicien për armatime të reja.

Frank Kendall, sekretari i Forcave Ajrore të SHBA, thotë se Amerika i ka lënë jashtë vëmendjes investimet për gjeneratën e re të armatimeve. Fjala është këtu për armët hipersonike. Sipas Kendall, kjo garë e re armatimesh nuk është për të rritur shifrat në arsenale, por për të përmirësuar cilësinë e tyre.

Në Pentagon janë të habitur nga përparimi kinez në fushën e armëve hipersonike (të cilat mbërrijnë te objektivi me shpejtësi pesë herë më shumë se shpejtësia e zërit, 6200 kilometra në orë, ndryshojnë shumë lehtë shpejtësinë dhe kursin dhe është e vështirë të kapen nga radarët).

Kina është fuqia e parë që përparon në këtë drejtim. Kjo është arsyeja pse gjenerali Mark Milley, kreu i Shefave të Përbashkët të Shtabit të SHBA, e quajti lëshimin e parë të raketës supersonike kineze "një Sputnik i ri", duke e krahasuar atë me tronditjen e shkaktuar në vitin 1957 nga lëshimi i satelitit të parë në orbitë, pjesë e Bashkimit Sovjetik. Pekini nuk konfirmon, përkundrazi, ka mohuar alarmin e Pentagonit duke pretenduar se mjeti hipersonik ishte në të vërtetë për përdorim civil. “Strategjia jonë ka qenë gjithmonë mbrojtëse, ne nuk kemi plane ushtarake globale si Shtetet e Bashkuara dhe nuk kemi asnjë interes të përfshihemi në një garë armatimi. Amerika shpik “kërcënimin kinez” për të justifikuar shpenzimet e saj ushtarake”.

Por në shtypin kinez ka detaje të potencialit të këtyre armëve. Shkencëtarët kinezë në Institutin Kërkimor Aerodinamik sapo kanë bërë të ditur se kanë zhvilluar një tunel ere, të krijuar për të arritur shpejtësi ndërmjet 4 dhe 8 Mach (4-8-fishi i shpejtësisë së zërit), në një temperaturë prej 900 Kelvin (626 gradë celsius) dhe në një lartësi fluturimi të simuluar prej 48 000 metrash. Tuneli i erës, i quajtur Fl-64, është i përshtatshëm për të eksperimentuar shkëputjen e municioneve nga një mjet hipersonik.

Ndërkohë, në kampin amerikan nuk ka progres të barabartë. "Nuk është se nuk kemi bërë asgjë, por nuk kemi bërë mjaftueshëm", thotë Frank Kendall, përgjegjës për pajisjet dhe trajnimin e forcave ajrore dhe hapësinore amerikane.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.