A ka më kuptim pelegrinazhi në "qytetin e pavarësisë"?

Postuar në 28 Nëntor, 2021 14:35

Një ndër njerëzit më të apasionuar me Shqipërinë siç është, kryeministri Edi Rama, ka shpërndarë sot në faqen e vet në Facebook, një video të shkurtër të cilën e titullon spontanisht: Pranë Shtëpisë së Flamurit me çikat e Kosovës që kanë zbritur sot në Vlorë.

Në video shfaqen disa zonja dhe zonjusha nga Kosova që nxitojnë të organizohen përqark Edit të Tiranës për të marrë një foto. Është një lojë e vetvetishme e kushtëzuar nga psikoza e shqiptarit që e ka automatike ndjenjën e nënshtrimit dhe ngazëllimit pranë pushtetit. Nga begenisja e tij e manifestuar te një thjeshtësi demagogjike. Kuptohet kjo për të gjithë ata që e dinë se çfarë arroganti dhe fodulli është njeriu që prej vitit 2013 është ulur këmbëkryq mbi buxhetin e Shqipërisë.

Por përtej kësaj, meriton pak vëmendje ky pelegrinazhi i një pjese të shqiptarëve të Kosovës në Vlorë në muajin nëntor.

Mundet të kuptohej deri më dje, ky lloj solidarizimi emocional me një ngjarje të glorifikuar me të gjitha mjetet e mundshme. Një ngjaje që në fakt ishte një datë e dekretuar nga koniunkturat ndërkombëtare por që i hapi rrugën një krijese perverse të historisë siç është gjoja shteti shqiptar. Perverse sepse në 109 vjet ne nuk e dimë ende se çfarë kemi fituar, se çfarë kemi përmirëuar, se çfarë hipoteke mund t’i lëmë fëmijëve tanë. Në 109 vjet ne nuk e kemi hequr nga vetja ëndrrën për të ikur, e cila do të duhej të reduktohej në një mundësi, por jo në një zgjidhje përfundimtare.

Mund të kuptohej sepse shekulli I 20-të ishte I magjepsur me idetë e kombit, i mbrujtur me pasione të mëdha politike që sjellin rëndom keqkuptime kolosale.

Por sot, në kohën kur kombet kanë kohë që janë shndërruar jo thjesht për konveniencë apo përshtjatje terminologjike në Shoqëri, e ca më tej në grupe konsumi, celebrime të tilla janë vajtuese për nivelin e hipokrizisë që përshfaqin.

Në Vlorë kapin podiumin ata që cilësojnë njëri -tjetrin hajdutë e kriminelë, ata që janë përgjegjës për dështimin e plotë tonin politik, për fatkeqësitë e këtij vendi dhe që nuk kanë asgjë të përbashkët me aspektin formal të aktit të 1912-ës, edhe ai në përmbajtje një moment i thellë hipokrizie.

Cili është atëherë kuptimi i pelegrinazhit të një pjese të shqiptarëve të Kosovës në Vlorë në muajin nëntor? Çfarë përkujtohet ende në krah të atyre që janë epitoma e të keqes? Çfarë do t’i rrëfehet vetes nesër? Çfarë kujtimi, çfarë mesazhi përcjell kjo inerci naïve që gjeneron një folklor politik grotesk?

Është koha që ta shohim vendin tonë me kokë të ftohtë e të gjejmë një fije dinjiteti për të mbajtur distancë higjenike, sa për të shpëtuar shpirtin të paktën, nga një hipokrizi dhe një demagogji që nis që me përrallën e Pavarësisë. Kosova sot ka sfidat e veta dhe do të duhej që energjitë e saj të mos kanalizoheshin në adresën e Shqipërisë, e cila është një adresë e humbur në histori.

s.zaimi

Comments

Submitted by Anonymous (not verified) on

Te shkretat cika! E shohin keshtu si kallep te gjate, dhe kujtojne se c'oc do jete!

Submitted by Heu bre (not verified) on

Nuk kam lexuar shkrim me patriotik. Nga ç'vend eshte shkruesi, nga Vlora e Flamurit? Apo ndonje mik i Shqiperise?

Submitted by Heu bre (not verified) on

Nuk eshte koment "Heu bre", eshte thjeshte nick name, si psh redaksia. Vereni edhe ju nick name gjithe artikullin dhe ne vend te artikullit shkruani vetem fjalen redaksia.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.