Kthesa 180 gradë e Kinës në luftë me plakjen e popullsisë
Atë që pak vite më parë Kina po e kufizonte me politika të posaçme, tashmë po e nxit me të tjera. Disa vite pasi hoqi kufirin e numrit të fëmijëve që duhet të ketë një çift, tani po nxitet rritja e numrit të lindjeve. Një mënyrë për këtë është zgjatja e lejes së lindjes.
Disa rajone në Kinë e kanë zgjatur këtë leje me të paktën 30 ditë, përpjekja më e re për të inkurajuar shtimin e popullsisë pasi vendi po përballet me një krizë demografike.
Kina po përballet me një fuqi punëtore që plaket me shpejtësi dhe ekonomi që ngadalësohet.
Zgjatja e lejes së lindjes u njoftua në Pekin dhe Shangai, raporton Bloomberg.
Me rregullat e deritanishme, nënat kishin të drejtë për 98 ditë pushim të paguar pas lindjes së një fëmije.
Ky ndryshim hapi një diskutim të gjerë, pasi janë të shumtë ata që shprehin shqetësimin se kompanitë mund të dekurajohen në punësimin e grave.
Kina e lehtësoi politikën “1 fëmijë për çift”, një nga rregulloret më të rrepta në botë të planifikimit familjar, në vitin 2016, duke lejuar çiftet të kenë dy fëmijë.
Kjo u zgjerua për tre fëmijë në fillim të këtij viti, por ndryshimet deri më tani nuk janë reflektuar në rritjen e lindjeve, pasi kostoja e jetesës po rritet.
Vitin e kaluar, Kina regjistroi 8.52 lindje për 1000 njerëz, shifra më e ulët që nga viti 1978.
Add new comment