Kthesa historike para dyerve të Moskës
Në dhjetor të vitit 1941 ofensiva e Wehrmachtit drejt Lindjes mbeti në vend. Për këtë një rol të vecantë luajti telegrami i komunistit Rikard Sorge dërguar nga Tokio me destinacion Moskën.
Një analizë e parë nga një këndvështrim i ri
Vetëm rreshti i fundit i informacionit kërkonte deshifrim, megjithatë dhe ashtu siç ishte linte shumë për të nënkuptuar. “Kjo çështje u takon vetëm amerikanëve, ndërsa problemi i ndërhyrjes nga Jugu, duhet parë me më përparësi se sa ajo e ndërhyrjes nga Veriu“, përfundonte telegrami i koduar nisur në të gdhirë të datës 5 Tetor 1941 nga Tokio me destinacion Moskën. Nga shërbimi sovjetik zbulimit GRU u kuptua fare qartë se për çfare bëhej fjalë. “Çështja e amerikanëve“- do të thoshte se tensionet midis Japonisë dhe SHBA kishin marrë përshkallëzim qysh prej korrikut të vitit 1941 me embargon e naftës dhe po shkohej drejt një konflikti të hapur ushtarak.
“Ndërhyrja nga Jugu“- do të thoshte se fushatat pushtuese të Japonise ndaj territorreve kineze do të vazhdonin më tej, ndërsa “problemi i ndërhyrjes nga Veriu“ do të thoshte se “konfrontimi ushtarak midis Japonisë dhe Bashkimit Sovjetik“ dukej për momentin jo aktual.
Informacioni i Sorges
Me këtë telegram konfirmohej informacioni që ishte dërguar nga i njëjti burim nga Tokio në Moskë gjashtë javë më parë. Agjenti me pseudonim “Ramsey“ alias Rikard Sorge kishte zbuluar se Këshilli i Lartë Perandorak i Japonise, si organi më i lartë I shtetit dhe tepër konspirativ kishte marrë vendim moscenimin e “Paktit të Neutralitetit“ nënshkruar në prill të vitit 1941 midis Japonisë dhe Bashkimit Sovjetik. Për Shtatmadhorinë e Ushtrisë së Kuqe ky informacion mbërriti pikërisht në momentin e duhur për arsyen e vetme se trupat tankiste të Wehrmachtit në atë fillim tetori të vitit 1941 ishin pothuaj të pandalshëm në përparimin e tyre drejt Moskës. Edhe pse humbjet që kishin pësuar trupat gjermane ishin të konsiderueshme dinamika e ofensivës gjermane ishte e furishme. Aq rëndësi pati ky informacion sa Stalini vendosi të mblidhte dhe të këshillohej me drejtuesit e lartë të rajoneve verilindore të Bashkimit Sovjetik.
Në veri-lindje të BS ishin stacionuar rreth 700 000 trupa në pritje të një sulmi eventual japonez për të anuluar njëkohësisht "Paktin e Neutralitetit“ ashtu siç bëri Hitleri me “Paktin e Mossulmimit“ me fillimin e ofensivës në lindje kundër BS. Edhe pse në rajonet verilindore nuk ishin stacionuar armatat e klasit të parë, por trupa rezervë, prapë së prapë ato trupa do të merrnin rol vendimtar në frontin e perëndimit.
Dhe vendimi që u mor ishte: “Më shumë se gjysma e këtyre trupave të stacionohet në frontin e perëndimit brënda një kohe sa më të shkurtër dhe në fshehtësi të plotë“.
“Do të ishte një nga aksionet më spektakulare në planin logjistik të luftës“ do të shkruante më vonë biografi i Stalinit, Simon Sebaq Montefiore. Gjeneral Armate Josif Apanasenko, komandant i trupave të Lindjes së Largme drejtoi zhvendosjen e pjesës më të madhe të trupave në fshehtësi të plotë për të mos rënë në sy nga zbulimi ushtarak japonez sepse pakësimi në numër i trupave sovjetike do të sillte me vete rrezikun e një sulmi të mundshëm të trupave japoneze në frontin e Azisë lindore. Formalisht në frontin e Lindjes së Largme qëndruan të pozicionuara vetëm 25 divizione të Ushtrisë së Kuqe. Treni i fundit drejt perëndimit u nis më 17 tetor.
Një ditë më vonë do të arrestohej në Tokio Rikard Sorge, ndërsa informacionet e dhëna prej tij do të ndryshonin tashmë rrjedhat luftës. Pasi kishin përshkruar 750 km në ditë, trenat e nisur nga Lindja e Largme do të transportonin deri në rrethinat lindore të Moskës njësitë e fundit të divizioneve të Ushtrisë së Kuqe. I tërë ky aksion do të zgjaste deri në fund të tetorit. Kjo zhvendosje masive njësish do të qëllonte në periudhën e vjeshtës me plot lagështi, baltë dhe llucë, para muajit nëntor që karakterizohej zakonisht muaj me ngrica dhe të ftohtit të acartë. Bile as banorët e Moskës nuk e morën vesh mbërritjen e trupave rezervë nga Fronti I Lindjes, ndërsa ofensiva e trupave gjermane vazhdonte dhe bëhej akoma dhe më shumë kërcënuese. Nga kjo situatë u përhap një panik masiv në mes të banorëve të Moskës. Me masa të rrepta të ndërmarra nga Stalini arriti të stabilizohej situata në Moskë. Këto masa të diktatorit do të shoqëroheshin dhe me një shfaqje për të ngritur moralin. Më 7 Nëntor, për nder të Revolucionit të Tetorit do të mbahej në Sheshin e Kuq parada e përvitshme ushtarake. Por këtë herë ajo paradë do të ishte ndryshe;
trupat ushtarake direkt pas paradës do të hidheshin në front, por dhe moti do ta kishin si aleat të tyre. Fiks në orën 8:00 do të fillonte mbi Moskë një stuhi dëbore që do t’i bënte të pamundura veprimet luftarake të forcave ajrore gjermane.
Stalini në fjalën u përpoq të ngrinte moralin e trupave me heronjtë fitimtarë gjatë luftës kundër Napoelon Bonopartit, me Aleksandër Svenskin dhe Mikail Kutuzovin. Si shpërblim, nga ana tjetwr, kundrejt vullnetit të pathyeshëm të trupave gjermane nata pasardhëse do të sillte me vete një ngricë akullnajore me një rënie të skajshme të temperaturave, të cilat shkaktuan ngrirjen e baltës gjë që bëri të mundur përparimin e mëtejshem të trupave drejt Moskës në ditët në vijim. Por ky guxim i tepruar i Komandës së Lartë gjermane do të kishte me vete pasojat e saj. Veshjet dhe pajisjet dimërore për trupat për përballimin e dimrit të acartë rus gjendeshin larg, në magazinat e Polonise së pushtuar. Dhe kjo e kishte arsyen e saj:
Planet strategjike që ishin bërë nga Komanda e Lartë gjermane parashikonin që ofensiva e Wehrmacht-it kundër Bashkimit Sovjetik të përfundonte në mesin e vjeshtes me një fitore përfundimtare. Në gjysmën e dytë të muajit nëntor të dyja formacionet ushtarake si Ushtria e Kuqe ashtu dhe Wehrmachti gjerman po vepronin mbi kufijtë e fuqive të tyre. Tanket gjermane përparonin me veshtirësi duke qenë nën trysninë e arritjes së objektivit kohor për të hyrë në Moskë brënda vitit 1941 dhe të arrinin kështu simbolikisht një triumf më rëndësi të vecantë, ndërsa nga ana tjetër gjenerali Zhukov urdhëronte kundërsulme njëri pas tjetrit në pjesë të vecanta të frontit që dështonin me humbje të mëdha. E rëndësishme për sovjetikët ishte fakti që humbjet në njerez dhe materiale luftarake kishin prekur të dyja palët. Gjithësesi njësite e pararojës së gruparmatës gjermane më 2 dhjetor në veriperendim, pikerisht ne Chimki, kishin arritur distancën rreth 24 km larg qendrës së Moskës, por më tej, përparimi për të hyrë më thellë në metropolin rus ishte bërë tashmë i pamundur. Energjitë e Wehrmachtit kishin arritur në nivele shteruese. Me 250 trupa të afta tankiste fillimi i një ofensive të re për marrjen e kryeqytetit sovjetik ishte një utopi, kur divizionet gjermane në fillimet e “Opreacionit Barbarosa“ llogarisnin rreth 1500 trupa të afta tankiste.
Analiza e gabuar që rezultoi me pasoja fatale
Nga ana tjetër gjenerali Zhukov dispononte forca të pakonsumuara në luftime të ashpra të zhvendosura nga Azia Lindore. Në bazë të urdhërit të Stalinit gjenerali Zhukov vendosi që data 6 dhjetor të ishte data e kundërofensivës së përgjithshme për lirimin e Moskës. Vetëm dy ditë më parë seksioni i zbulimit gjerman që mbulonte frontin lindor do të raportonte si vijon: “Në këtë kohë divizionet sovjetike për shkak të mungesave në rezerva të pajisjeve dhe materialeve luftarake nuk mund të jenë në gjëndje të ndërmarrin ndonjë kundërofensivë”. Ishte një informacion jashtë mase i gabuar, por sipas ekspertit të shërbimeve inteligjente, Magnus Pahl:
Avionët zbulues të Luftwafe-s kishin dalë pothuaj “jashtë funksionit.“ Kundërofensiva e trupave sovjetike solli atë që në disa sektorë të frontit raportet të arrinin 2:1 në favor të trupave sovjetike. Kjo krijoi në front një trysni pothuaj të papërballueshme për trupat e Wehrmachtit. Oficerët gjermanë pranë frontit jepnin urdhëra për tërheqje të koordinuar dhe të rregullt. Fronti perëndimor përgjate perimetrit të Moskës kishte avancuar deri në 100 km. thellësi.
Argumenti se faktor primar ishin mbingarkesa dhe lodhja e trupave të Wehrmachtit dhe jo veprimtaria e Sorges, mund të qëndrojë, që ofensiva gjermane për marrjen e Moskës në fund të nëntorit dhe në fillim të dhjetorit të vitit 1941, të merrte kthesë tjetër dhe inisiativa e kësaj beteje të kalonte në anën e sovjetëve. Por informacioni i tij i fundit, në atë fillim tetori të vitit 1941, bëri që Stalini të zhvendoste trupat rezervë në drejtim të perëndimit, pa të cilat, duke marrë parasysh dhe humbjet e mëdha qe kishin pësuar armatat e Zhukovit, mundësuan fillimin e një kundërofensive të përgjithshme. Pra, mohimi i rolit të Rikard Sorges në këtë rrjedhë ngjarjesh nuk do të ishte gjë tjetër veçse një gabim i rëndë historik.
Marrë nga “Welt am Sonntag“, Nr.46, 14 Nëntor 2021, faqe 68
Rubrika: Geschichte (Histori) www.welt.de/geschichte
Përgatitur nga Adrian Stefi
Add new comment