Drejt një vaksine për Alzheimerin
Testet e kryera me kafshët kanë ndezur shpresat për një vaksinë efektive kundër Alzheimerit.
Studiuesit amerikanë dhe gjermanë ia dolën të rikthenin kujtesën e humbur te minjtë, gjë që hap dritën jeshile për të kaluar te testet me njerëz. Vaksina trajnon sistemin imunitar për të luftuar një lloj proteine ngjitëse beta amiloide në tru, që grumbullohet te njerëzit me demencë, duke parandaluar komunikimin midis neuroneve.
Ilaçet e mëparshme për të luftuar Alzheimerin janë përqendruar gjithashtu në reduktimin e amiloidit, por kanë treguar pak sukses në zvogëlimin e simptomave, disa madje kanë shkaktuar efekte anësore negative.
Shkencëtarët kanë zbuluar se, te njerëzit me demencë, proteina paloset në një strukturë të ngjashme me një kapëse flokësh dhe bëhet një formë shumë më e rrezikshme e amiloidit.
Ekipi e mbështet studimin në teorinë se krijimi i amiloidit inxhinierik në të njëjtën formë do të nxisë trupin të prodhojë antitrupa për të luftuar këtë strukturë specifike.
Gjithashtu, kjo do ta lejojë sistemin imunitar të injorojë format normale të proteinave, të cilat i nevojiten trupit.
Kur u injektua te minjtë, vaksina gjeneroi antitrupa dhe ndihmoi në rivendosjen e funksionit të neuroneve, rritjen e metabolizmit të glukozës në tru, rikthimin e kujtesës dhe reduktimin e formimit të pllakës beta të amiloidit.
"Kjo hap mundësinë për të trajtuar jo vetëm Alzheimer-in pasi të zbulohen simptomat, por edhe për të vaksinuar potencialisht kundër sëmundjes përpara se të shfaqen simptomat”, citon The Telegraph thotë Mark Carr, nga Instituti i Biologjisë Strukturore dhe Kimike në Universitetin e Leicesterit.
Rreth 44 milionë njerëz në të gjithë botën jetojnë me Alzheimer ose një formë tjetër të demencës.
Add new comment