Ministria e Arsimit merr gomën për korrigjimin e teksteve. Asnjë fjalë për faturën dhe përgjegjësitë e gabimeve
Sot, ministrja e Arsimit, Evis Kushi, ka prezantuar projekt-buxhetin 2022. Duke folur para një përfaqësie mësuesish dhe në prani të Kryeministrit të vendit, zonja Kushi ka premtuar tekste falas një përdorimësh, duke nisur nga viti tjetër dhe më tej, ka njoftuar se Ministria e Arsimit ka nisur korrigjimin e teksteve në përdorim nga gabimet dhe pasaktësitë. Ministrja ka sqaruar se tekstet në arsimin bazë janë cilësore dhe se janë përkthim i Oksfordit, por ato siç është raportuar shpesh kanë pasaktësi.
Teksa korigjimi në vetvete është deri diku një gjë e mirë sepse reflekton një kritikë të vazhdueshme, njoftimi i ministres është i mangët dhe i mungon përgjegjshmëria. Sepse gabimet në tekste nuk janë lapsuse, por një faturë me përgjegjësi nga ato subjekte që kanë fituar kontratat e botimit dhe shtypshkrimit apo edhe përkthimit, apo edhe e grupeve të punës së ministrisë.
Në këtë kuptim të nisësh procesin e korigjimit pa nxjerrë përgjegjësit e gabimeve që janë të vazhdueshme, do të thotë të tallesh me paratë publike. Për më tepër kjo qasje e redukton debatin për tekstet te korrigjimi, kur në të vërtetë për përmbajtjen e tyre ka një proces të vazhdueshëm kontestimi, sidomos për çështje delikate të raporteve gjinore. Është pra një tjetër shenjë se qeveria nuk di të jetë serioze me një çështje kaq të ndjeshme dhe kjo është me të vërtetë trishtuese kur merr parasysh se çfarë interesash financiarë luhen dhe se çfarë batërdie është bërë në këto vite.
s.zaimi
Add new comment