Pajisje që mund t’i riparosh vetë, kompania që po sfidon gjigantët Apple e Samsung
Pajisjet teknologjike nuk i zotërojmë plotësisht, pavarësisht se mund t’i blejmë shtrenjtë. Marrëveshjet e licencës së përdoruesit fundor janë në thelb pranimi për ta përdorur pajisjen që e ke paguar, siç të lejon prodhuesi. Dhe ky i fundit jo gjithmonë na lejon ne - ose dikë që nuk është i autorizuar nga prodhuesi - ta rregullojë atë nëse prishet. Kjo bën të mundur që nga riparimet, paratë të shkojnë për kompaninë mëmë. Dhe, nëse pajisja nuk mund të rregullohet lehtë, shumë konsumatorë mund të zgjedhin të blejnë një version të ri, të përditësuar.
Është një problem që shtrihet nga telefonat inteligjentë dhe laptopët deri te teknologjia jokonvencionale si traktorët dhe makinat e akullores McDonald's. Ka kosto për konsumatorin dhe krijon mbeturina elektronike, që dëmtojnë mjedisin.
Por kjo strukturë solide, e imponuar nga Goliathët e korporatave si Apple dhe John Deere, po përballet me Davidët përreth tyre. E drejta për të riparuar teknologjinë për të cilën ke paguar po kërkohet me forcë. Aleati më i fundit për këtë gjendet në Shtëpinë e Bardhë.
Krahas avokatëve të konsumatorit, fermerëve dhe politikanëve në këtë front kanë hyrë kompani si Framework, që e kanë në themel të tyre të drejtën e riparimit dhe ndjekin një model biznesi që nuk varet nga disponueshmëria. Framework dizajnon laptopë modularë të thjeshtë për t'u riparuar dhe të lehtë për t'u personalizuar. Kjo është një përpjekje për të prishur ekonominë e teknologjisë së disponueshme duke krijuar një laptop që zgjat më shumë.
“E drejta për të riparuar është tepër e rëndësishme dhe në fakt është një pjesë thelbësore e asaj që ne po bëjmë”, thotë themeluesi i Framework, Nirav Patel.
Framework dëshironte të ndërtonte një laptop me të njëjtën madhësi dhe peshë si të tjerët në treg, por me mundësinë e riparimit. Prodhuesit me të cilët ai kontaktoi fillimisht e kundërshtuan idenë, thotë Patel. Por me kalimin e muajve të projektimit dhe zgjidhjes së problemeve të secilit komponent pjesë-pjesë, ekipi i tij përfundimisht arriti në një produkt funksional që ata filluan ta tregtonin këtë verë.
Framework aktualisht ofron dy modele të ndryshme laptopi. Laptopi Framework vjen i montuar, por pavarësisht kësaj mbetet i personalizueshëm, me mundësi për përditësim dhe i riparueshëm.
Opsioni i laptopit DIY (bëje vetë) i lejon konsumatorët të ndërtojnë laptopin e tyre nga një grup modulesh, duke krijuar një produkt të personalizuar menjëherë. Mund të përdorësh sistemin operativ, kujtesën, hapësirën ose ËiFi apo t'i blesh ato nga Framework.
Shumica e produkteve elektronike të konsumit trajtohen si pajisje të disponueshme: shumë shpejt, ato prishen, konsumohen ose vjetrohen dhe lind nevoja për një pajisje të re. Kjo do të thotë lajm i mirë për kompaninë e teknologjisë dhe lajm i keq për portofolin e konsumatorit.
Por nuk ka qenë gjithmonë kështu. Më parë, kompanitë krenoheshin me pajisjet që jetonin gjatë dhe i paketonin ato me manuale, pjesë dhe madje edhe skema që orientonin përdoruesin për t’i riparuar vetë.
Por gjërat ndryshuan në momentin kur filloi shitja e softuerëve. Ndryshe nga një pjesë e harduerit, është mjaft e lehtë për dikë që të ndryshojë softuerin që kishte blerë dhe të nxjerrë versionin e tij.
Kompanitë e mëdha të teknologjisë argumentojnë se kjo është çështje biznesi dhe sigurie. Sipas tyre, ajo do ta bënte më të lehtë për hakerat të komprometojnë pajisjet dhe riparimet e palëve të treta të komprometojnë teknologjinë e tyre. Në këtë mënyrë u arrit te marrëveshjet e licencës së përdoruesit fundor për të mbrojtur produktin e tyre, të cilat janë rregulla të përcaktuara për përdorimin e pajisjes.
Por tani, është më e vështirë se kurrë të ndash softuerin dhe harduerin dhe këto marrëveshje e bëjnë thjesht të pamundur.
Kjo mbron gjithashtu dizajnin e pajisjes - diçka që një kompani si Apple, që e ka në themel dizajnin, dëshiron ta ruajë.
Filozofia e Apple për dizajnin është e tillë që i sheh produktet e saj si "të përsosura". Ato janë vepra arti të mbyllura hermetikisht po aq sa produkte, “objekte që i merr hua për disa vite dhe më pas i dërgon në riciklim ose në landfill”.
Zëvendësimi i pajisjeve jo vetëm që u kushton konsumatorëve mijëra dollarë, por i kushton edhe mjedisit. Më shumë produkte teknologjike do të thotë më shumë procese minerare dhe prodhimi që mund të jenë të rrezikshme për njerëzit dhe mjediset dhe prodhojnë karbon. Çdo iPhone X prodhon pothuajse të njëjtën sasi CO2 si djegia e 8,9 gallonë benzinë dhe për të llogaritur impaktin e kësaj kini parasysh se shiten miliona brenda një viti.
Ne gjenerojmë 50 milionë tonë mbeturina teknologjike në vit. Djegia në mjedise të hapura dhe proceset për të rikuperuar mineralet e vlefshme brenda pajisjes mund t'i ekspozojnë punëtorët ndaj niveleve të larta të plumbit, mërkurit dhe arsenikut, çka shkakton kancer, aborte dhe komplikacione neurologjike.
Të gjitha këto qëndrojnë në themel të shtysës për të krijuar Framework.
Gjithçka nisi njëkohësisht me pandeminë, kur u ndërtuan prototipet e para. Framework ndërtoi një ekip në terren në Tajvan për të punuar për të ndihmuar në zbutjen e vështirësive logjistike të shkaktuara nga virusi, ndërkohë që filluan të projektonin edhe një laptop modular.
Themeluesi Nirav Patel planifikon që laptopët Framework të jenë ende në përdorim pas një dekade. Kompania shpreson të ndërtojë një komunitet rreth produkteve të saj që bazohet në asistencën për riparimin, përmirësimin dhe krijimin e gjërave të reja bazuar në kornizën origjinale.
Në rrugën e re, Framework ka përballë gjigantë si Apple, Samsung dhe Microsoft.
"Na pëlqen që konkurrentët tanë janë të gjithë gjigantë. Ne thjesht duhet të dalim atje si një fillim i ri, i çuditshëm, me një ide të re dhe të bëhemi Davidi i Goliathit".
Add new comment