Po QSUT-së pse nuk i ka dalë pronari?

Postuar në 22 Tetor, 2021 15:22

Sot në mëngjes në media qarkulloi një deklaratë e ministres së Kulturës, Elva Margariti e cila në rolin e ngushëlluesit zyrtar shprehej se Cirkut të Tiranës i doli pronari. Në krah të artistëve, ministrja ka siguruar se qeveria do të bëjë gjithçka për të krijuar hapësirën e duhur për Cirkun. Mesazhi është i thjeshtë: cirku ikën nga ishte, e degdiset gjetkë.

Është e vështirë të lexosh këto zhvillime me një qeveri që ecën sipas humorit të një njeriu. Kohë më parë në Tiranë qarkullonte një “muhabet” se Muzeut Kombëtar i kishte dalë pronari. D.m.th truallit ku është ndërtuar objekti. Muhabeti numër 2 kundërshtonte muhabetin numër 1 sepse ai thoshte se truallin ku është ndërtuar Muzeu e kanë blerë italianët gjatë pushtimit. Dhe Muzeu nuk u prish. Të paktën deri më tani.

Kemi Teatrin Kombëtar. Atij nuk i doli pronari. Thjesht një ditë të bukur, ai nuk bënte më. Dhe u prish. Trualli vijon të jetë bosh dhe askush nuk e di me siguri se çfarë do të ndërtohet aty. Kopshti Zoologjik dikur u përfol se ishte thela e radhës. Fati i tij është enigmë. Muzeu i Shkencave të Natyrës nuk është më aty ku ishte. Tani aty gjallon një pallat, a kullë.

Garda e Republikës në zonën ku ka qenë është amanet i zhbërë i historisë, ndërkohë që hapësirat e ushtrisë po zaptohen me shpejtësi pa u marrë vesh se çfarë po ndodh. Këtu kemi një qeveri që bën me territorin siç do bënte me bahçen e vet, bën e zhëbn objekte, duke shpërfillur edhe historinë.

Kjo e cirkut është seria më e fundit që i jep goditje memories së një qyteti. Do na thonë se pronarët kanë të drejtë të zhvillojnë pronën e tyre. Vetëm se po ky pushtet se ka për gjë që të bllokojë çdo ndërtim për pronarët siç ka bërë p.sh me trojet në Bregdet të cilat nuk i regjistron. Dhe nuk regjistron as shtëpitë madje.

Lista mund të jetë pa fund në regjimin e zorzopëve të kollarisur. Të cilët me letër e laps, me durim dhe këmbëngulje, vulë, ligj e vendim, po bëhen pronarë të këtij vendi të cilin po e shformojnë sipas të vetmit vizion që kanë: të jenë rehat vetë. Nuk mbetet vetëm të pyesim: po QSUT-së pse nuk I ka dalë ende pronari? Vallë pronë pa Zot ka qenë ajo?

Comments

Submitted by Heu bre (not verified) on

Ore xhan, Cirkut të Tiranës i doli pronari, ndersa QSUT-së i ka hyrë pronari. Ja kaq e thjeshtë eshtë. Kur nuk arrini të kuptoni kaq e gjë, punësoni ore zonjen Meri që tu hedhë fall per humorin e LARTmadheRISE. Nese jeni keq me financat, edhe një arixhofkë bën punë.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.