Rama: Plan me tre pika për të shmangur efektet e krizës energjetike
Një paketë me tre pika është ajo me të cilën qeveria synon të mbrojë qytetarët shqiptarë nga efektet e krizës energjetike. Kryeministri Rama doli para mediave me strategjinë e përgatitur për të përballuar situatën e vështirë energjetike që paralajmëroi vetë disa ditë më parë.
Plani i qeverisë “Rama” mbështetet në tre pika: garantimi i furnzimit me energji elektrike pa ndërprerje për të gjithë, mbrojtja e biznesit të vogël dhe familjeve në nevojë dhe garanci sovrane shtetërore, 100 milionë euro për kompaninë e shpërndarjes në fund të këtij viti dhe 100 milionë të tjera në fillim të vitit tjetër. Plani mbulon një periudhë kohore që nis nga tani deri në fillim të verës së ardhdhme.
Prezantimi i planit u parapri nga një parashtresë e gjatë e vështirësive financiare me të cilat është hasur qeveria në dy mandatet e para, ndërsa Rama shtoi se të ardhurat në arkën e shtetit janë mirëmenaxhuar.
Paga e ministrave dhe deputetëve nuk është rritur asnjëherë, ndërsa taksa mbi pagat e tyre po. Ne duhet ta dëgjojmë më shumë njëri-tjetrin. Nuk jam këtu për t’i rënë me top arkës së shtetit. Nuk jam as për të heshtur kur më thoni që Shqipëria e prodhon vetë të gjithë energjinë që i duhet. Ne e shesim lirë kur rajoni ka nevojë. E blejmë shtrenjtë kur nevoja për energji bëhet emergjente. Ne nuk prodhojmë as naftën që konsumojmë për vendet tona. Ne importojmë 600 mijë tonë naftë në vit për diesel dhe benzinë. Në çmimin e naftës e keni edhe taksën e qarkullimit.
Prezantimi i paketës vjen vetëm pak ditë pas një proteste qytetare para Kryeministrisë për rritjen e çmimeve, e para e këtij lloji për mandatin e tretë të Ramës.
Add new comment