Dy gazetarë ndajnë Nobelin e Paqes
Dy gazetarë ndajnë Çmimin Nobel për Paqen në vitin 2021. Gazetarët Maria Ressa dhe Dmitry Muratov u shpallën fitues në një ceremoni të mbajtur në Oslo të premten në mëngjes.
Dy gazetarët u vlerësuan "për përpjekjet e tyre për të mbrojtur lirinë e shprehjes, si parakusht për demokracinë dhe paqen e qëndrueshme".
Filipinasja Ressa, "e përqendroi vëmendjen kritike në fushatën e diskutueshme të regjimit të Dutertes kundër trafikantëve të drogës", tha Komiteti Norvegjez i Nobelit.
Muratov, ndërkohë, ishte një nga themeluesit e gazetës së pavarur ruse “Novaja Gazeta”. Komiteti e cilësoi këtë të fundit "gazetën më të pavarur në Rusi sot, me një qëndrim thelbësisht kritik ndaj pushtetit".
Nobeli i Paqes është dhënë 102 herë që nga viti 1901. Me të nderohet çdo person ose grup që ka bërë "punën më të mirë për vëllazërimin midis kombeve".
Në historinë e tij, çmimi u ka shkuar 25 organizatave, 17 grave dhe në dy raste është ndarë mes tre personave. Vetëm një fitues, vietnamezi Le Duc Tho, e ka refuzuar vlerësimin, të cilin e ndau me Henry Kissinger.
Çmimi i vitit të kaluar iu dha Programit Botëror të Ushqimit, i cili u krijua në vitin 1961 me urdhër të Presidentit amerikan Dwight Eisenhower për të luftuar urinë në të gjithë globin. Agjencia e OKB-së me qendër në Romë u vlerësua për përpjekjen për t'i dhënë fund urisë si "një armë lufte dhe konflikti".
Add new comment