Identifikohet koordinatori i sulmit me gaz Novichok në Salisbury
Një person i tretë është nën akuzë për helmimin me gaz Novichok në Britaninë e Madhe, tre vjet më parë. Denis Sergeev, shtetas rus, dyshohet si i përfshirë në sulmin ndaj ish-agjentit të dyfishtë Sergei Skripal dhe vajzës së tij, Julia, në Salisbury. Ata shpëtuan, por një grua pa lidhje me ngjarjen, Dawn Sturgess, vdiq në spital për shkak të helmimit pasi përdori shishen me gazin helmues.
Siç raporton BBC, policia britanike dyshon që të tre dyshuarit i përkisnin një ekipi të inteligjencës ushtarake ruse.
Sergeev mendohet se veproi si komandant në terren për operacionin dhe ishte anëtar i lartë i ekipit GRU i Rusisë. Emri i tij është lidhur edhe me aktivitete të tjera të fshehta në të gjithë Evropën.
Shërbimi i Prokurorisë së Kurorës në Britani ka autorizuar ngritjen e akuzës, por të dyshuarit nuk mund të akuzohen zyrtarisht nëse nuk arrestohen.
Më 2 mars 2018, ekipi i dyshuar i goditjes GRU erdhi në MB.
Dy burra, duke përdorur emrat Alexander Petrov dhe Ruslan Boshirov, mbërritën pasdite në aeroportin Gatëick. Policia ka zbuluar identitetin e tyre të vërtetë: Anatoliy Chepiga dhe Alexander Mishkin.
I dyshuari i tretë, Denis Sergeev, ka përdorur emrin Sergey Fedotov dhe ka hyrë në Britani përmes aeroportit Heathrow, në të njëjtën ditë.
Chepiga dhe Mishkin udhëtuan për në Salisbury të dielën 4 mars kur dyshohet se vunë agjentin nervor Novichok të ushtrisë në dorezën e derës së përparme të ish-oficerit të GRU, Sergei Skripal.
Për pasojë u helmuan Skripal dhe e bija si edhe Nick Bailey, atëherë oficer policie.
Të tre të dyshuarit u larguan drejt Moskës në të njëjtën ditë.
Policia thotë se tani ka prova që ata vepronin si ekip dhe se të tre u takuan në disa raste në Londër gjatë asaj fundjave.
Rusia eliminoi edhe Litvinenkon
Ndërkohë, Rusia është shpallur përgjegjëse edhe për një sulm tjetër të ngjashëm në 2006. Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ) konkludoi në vendimin e saj se Rusia është pas sulmit vdekjeprurës ndaj Aleksandër Litvinenkos.
Litvinenko, një ish-spiun rus që u bë shtetas britanik, u helmua për vdekje me polonium radioaktiv-210 në Londër në 2006. Një hetim britanik i kryer 10 vjet më vonë arriti në përfundimin se vrasja me gjasa ka marrë miratimin e Presidentit rus Vladimir Putin.
Rusia gjithmonë ka mohuar çdo përfshirje në vrasjen e tij.
Hetimi në Mbretërinë e Bashkuar tha se ish-truproja i KGB -së Andrei Lugovoi dhe një tjetër rus, Dmitry Kovtun helmuan qëllimisht Litvinenko, ndoshta duke futur substancë radioaktive në çajin e tij.
E veja e Litvinenkos, Marina, e çoi çështjen kundër Rusisë në gjykatën me bazë në Strasburg, e cila është pajtuar me përfundimin e hetimit në Britani.
Add new comment