Certifikata e vaksinimit, e pavlefshme për 238 mijë qytetarë
Certifikata e vaksinimit me të cilën u pajisën 238 mijë qytetarë deri në 15 shtator përmes portalit e-Albania, nuk do të jetë më e vlefshme. Shkak duket se është bërë njohja së fundmi e pasaportës digjitale nga bashkimi Evropian. Këtë fakt e pohon për MCN edhe zv.ministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli, e cila shpjegon edhe rregullat.
Është njësoj siç ka qenë më parë aplikimi. Por pasaporta që del ndryshon, sepse ndryshon barkodi. Për këtë arsye, edhe ata qytetarë që e kanë marrë deri dje pasaportën e vaksinimit, do të duhet të riaplikojnë sepse kodi ka ndryshuar.
Se kush janë ndryshimet mes formatit të ri dhe atij me të cilin ishin të pajisur deri tani qytetarët shqiptar, e shpjegon drejtoresha e portalit e-Albania, Nevila Repishti.
Tashmë, certifikatat e vaksinimit të lëshuara nga e-Albania mund të validohen nëpërmjet çdo aplikacioni të secilit vend anëtar të BE. Me validimin e tij, në ekran shfaqet njohja e vlefshmërisë si emri, mbiemri, data e vaksinimit dhe shteti.
Pasaporta e re digjitale ka nxjerrë në pah edhe një shqetësim për një pjesë të mirë të qytetarëve që aktualisht kanë marrë vaksinën kineze dhe atë ruse, të cilat nuk njihen nga Agjencia Evropiane e Barnave. Të pyetur nga MCN, ata i bëjnë apel qeverisë për marrjen e masave, pasi një gjë e tillë i penalizon për udhëtime jashtë vendit. Jo vetëm kjo, por të penalizuar mbeten edhe ata që kërkojnë të studiojnë në Itali dhe vende të tjera të Evropës.
Pasaporta e re e miratuar nga Bashkimi Evropian është e vlefshme vetëm për vaksinat që kanë marrë miratimin nga EMA dhe tashmë aplikohen në vendet e BE-së: Pfizer, Moderna, AstraZeneka dhe Johnson. Shqipëria ka administruar deri më sot 1.6 milionë vaksina, por shumica e tyre janë Coronavac dhe Sputnik, të cilat nuk njihen në të gjithë BE-në.
Add new comment