Merkel erdhi dhe iku, por në Tiranë nuk ndryshoi gjë
Kancelarja gjermane Angela Merkel ka përmbyllur një viztë në Tiranë ku është takuar me përfaqësues të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, pasi kaloi një ditë në Beograd. Siç dihet zonja Merkel përfaqëson një histori suksesi personal, një mentalitet qeverisjeje dhe menaxhimi të hapave të sigurt dhe një konsistencë gati ideologjike te liberalizimi dhe bindja për të drejtat e njeriut. Vizita patjetër që është shumë e rëndësishme, pavarësisht se Merkel mbyll karrierën, edhe pse ajo lë një trashëgimi që prek rajonin tonë siç është Procesi i Berlinit.
Mirëpo siç ndodh shpesh në politikë, zonja Merkel na sjell me vete një dhuratë paradoksale që ka patjetër pasoja të paktën afatshkurtra. Nëse vizita dhe mesazhet e saj vënë në dukje rëndësinë e Ballkanit Perëndimor për Europën, mbështetja që ajo ka dhënë për qeverinë e Ramës dhe Vuçiçit përkthehet në kredi politike për liderë që drejtojnë qeveri të akuzuara zyrtarisht nga BE-ja si të korruptuara.
Patjetër që mbështetja do na thonë shkon për Shqipërinë dhe mënyra sesi SHBA leqendisi një ndër njerëzit e saj në Tiranë, Sali Berishën, jep të kuptojë se asgjë nuk përjashtohet nesër edhe për z. Rama. Por procese të tilla me mbështetje zyrtare për një qeveri dhe një kryeministër, që nga ana tjetër akuzohen si shkaktarë të vonesës së integrimit dhe pra vetë problemi, gjenerojnë atë që është quajtur si stabilokraci.
Nuk pret kush që BE-ja të minojë qeveritë e Ballkanit Perëndimor, të cilave ua njeh premisën demokratike te certifikimi i zgjedhjeve, por patjetër që ky është rasti ku politika Unionit keqkuptohet, nuk kuptohet, apo keqinterpretohet për shkak të zonës gri që krijojnë marrëdhënie të tilla. Të cilat madje edhe celebrohen si shenjë miratimi për çdo gjë që ndodh në vendet tona.
Ne i zgjedhim, ose i lënë të zgjidhen duke besuar naivisht se gjërat do të rregullohen vetë pse e imagjinojmë politikën se funksionon me rregullatorë globalë, BE-ja apo SHBA i toleron dhe punon me ta për të krijuar bashkarisht këtë hibrid politiko-shtetëror që ka pasoja gjeopolitike. Çfarë e frenoi më shumë sesa korrupsioni dhe krimi politikën europiane në Ballkan? Asgjë veç miopisë së vet dhe burokratizimit të çdo nisme.
s.zaimi
Add new comment