Oborri, qyteti, arti
Arthouse lindi 6 vjet më parë me dëshirën për të qenë një pikë e vogël ku hyjnë e dalin artistë, njerëz që e duan dhe interesohen për artin. Ku hyjnë e dalin njerëz nga Shkodra por edhe nga vende të tjera të Shqipërisë po edhe nga vende të tjera të planetit. Ky momenti i shtëpisë si një vend privat që takon komunitetin publik, që i hap dyert, nuk është gjë kaq e jashtëzakonshme, sepse në shtëpitë tona ne presim e përcjellim mysafirë. Ideja që ta strukturojmë këtë marrëdhënie mes publikes dhe privates ka qenë ajo që më ka shtyrë që në fillim në krijimin e Arthouse si një projekt.
Me Ekranin e Artit kemi dashur të dalim nga shtëpia jo thjesht të hapim dyert e shtëpisë për qytetin. Kemi dashur të dalim nga shtëpia dhe ti drejtohemi qytetit me institucionet e tij, në shtëpitë e tjera të qytetarëve të Shkodrës dhe është i dyti vit radhazi që përveçse në Arthouse futemi në oborre e qytetarëve të Shkodrës, vijmë dhe në teatrin "Migjeni" për të projektuar filma.
Është shumë e rëndësishme që një projekt si Arthouse të mos lindë vetëm, por të lindë me referenca në qytet. Qëkur e kemi nisur këtë punë, por edhe në vijim, i kemi pasur disa pika referimi.
Nuk e kemi ndier veten vetëm. Ka qenë qendra rinore "Arta", e cila që në fillim na ka mbështetur, kemi bashkëpunuar, por edhe aktorë të tjerë që i kemi vënë re që janë aktivë në qytet...një ditë pashë në Shkodër një grup me biçikleta që kishin bllokuar rrugën e makinave dhe po ecnin avash-avash. Ishte organizata Geo2. Të them të drejtën mu bë qejfi se në Shkodër ne vazhdimisht shohim makina që bllokojnë vendin e biçikletave.
Më pas kam ndjekur edhe aktivitetet të tjera të kësaj shoqate, ashtu siç kam ndjekur një tjetër organizatë që në Shkodër ka dhënë kontribute të mira në këtë qytet, siç është Ekomendje. Edhe aty më kujtohet që pata parë disa të rinj, disa vajza e djem të ri që dilnin e pastronin qytetin.
Duket sikur të pastrosh qytetin është diçka e jashtëzakonshme. Faktikisht është gjëja më normale që ne nuk e bëjmë. Meqë ra fjala te pastrimi, kur po dilja për të ardhur këtu për provat, pashë një komshiun tim, një intelektual të mirë të qytetit të Shkodrës, Gjon Çunin, i cili me një karrocë po mblidhte plehrat në rrugicë për t’i çuar te koshi.
Këto gjëra të vogla që kanë brenda një shenjë emancipimi janë ato që ne si Arthouse kemi dashur të zhvillojmë e të mbajmë gjallë. Një ndër pikat e referimit është muzeu "Marubi". Shkodra ka një gur të çmuar të institucioneve të kulturës në Shqipëri. Muzeu "Marubi" është tempulli i imazhit.
Shkodra me Pietron, Kelin dhe të tjerë ka krijuar një kulturë mbi imazhin që është e admirueshme edhe në nivel ndërkombëtar. Për fat të keq, Shkodrës i mungon një tempull për imazhin në lëvizje. Shkodrës i mungon prej shumë vitesh kinemaja.
Kinemaja nuk janë katër mure dhe një projektor dhe ekran, është një komunitet njerëzish. Këtij komuniteti i mungon tempulli. Me Ekranin e Artit po tentojmë ta mbledhim bashkë këtë komunitet. Për ta mbledhur në mënyrë që ata t’u tregojnë atyre që kanë tagrin të ndërtojnë institucionet, se Shkodrës i duhet patjetër.
Momenti tjetër janë oborret. Përveç teatrit “Migjeni”, ne shkojmë në oborre.
Oborret janë momenti ku dimensioni i brendshëm i familjes takohet me pjesën e jashtme. Oborret janë vende ku tradicionalisht në Shkodër janë thirrur njerëz, janë mbledhur njerëz, janë krijuar komunitete, janë bërë dasma, janë kënduar këngë. Është krijuar kulturë.
Oborri nuk është, për fat keq siç e kemi parë këto vite, një hapësirë me metër katrorë që përdoret për të bërë pallat. Oborri është një vend me memorie, me traditë, ku edhe rriten lule, mbillen pemë dhe marrëdhënia e njerëzve me këto të dyja nuk është gjë e vogël për mirëqenien e tyre.
Fjala e z. Paci në hapjen e aktivitetit "Ekrani i Artit" në teatrin "Migjeni" në Shkodër
Add new comment