Nga Republika Socialiste e Shqipërisë te Republika e Shqipërisë(së Partisë)Socialiste
Kemi marrë një notë kaluese për qeverisjen përderisa morëm besimin e popullit për të tretën herë, por sa më mirë akoma mund të kishim qeverisur? Sa ka qenë niveli i pranisë sonë si deputet në komunitetet përkatëse dhe sa rol pozitiv ose jo kishte marrëdhënie e komuniteteve me deputetët në votën e 25 prillit? Sa ka ndikuar rezultatin tonë në zgjedhje zgjedhjet e këqija, bakshishet, ryshfetet dhe qokat?
Po organizmi i PS sa ka arritur që të pastrohet dhe si do të shpëtojë deri në fund kjo partie nga kjo specie? Sa gjak i ri ka hyrë në organizimin e kësaj partie dhe sa dhe si do ta ripërtërijmë partinë më tej duke shtuar radhët, energjinë dhe peshën e politikës në jetën e saj, frymën e patriotizmit dhe vullnetarizmin në raport me peshën e kërkesës ende shumë shqetësuese për një vend pune në shtet?
Këto dhe pyetje të tjera si këto ka sa të duash, kërkon një vështrim kritik ndaj vetes në radhë të parë për të rreshtuar fakte që edhe mund të mos na pëlqejnë dhe gjithçka nis nga vetja. Duhet të kërkoni brenda vetes, cfarë mund të kishte bërë më mirë dhe cfarë nuk shkoi në punën e vet, në 4 vite apo në performancën e skuadrës së qarkut ku bën pjesë, për shkak të vetë atij apo asaj.
Lexon këto fjalë e të duket sikur po lexon ndonjë raport në kongreset e PPSh-së ku kërkohej llogari, merreshin masa dhe priteshin koka. Në kuptimin literal të fjalës. Pastaj sheh se këto fjalë i ka thënë Edi Rama në një takim me deputetë të PS-së dhe kupton që kemi të bëjmë me llogje salloni luksi luksi në një vend zhelan.
Sepse llogje janë përderisa një kryeministër na thotë se ai e di që qeverisja e tij ka qoka, rryshfete dhe bakshishe, por nuk kemi parë një rast të vetëm që të denoncohet. Mos na e zini në gojësh ju lutem Fatos Tushen se është me të vërtetë viktimë dhe duhet të jetë i fortë të mos i urrejë këta që sot flasin kur sheh se kryeministri i bën moral një shoqërie të tërë për kësi gjërash me Taulant Ballën në krah, Elisa Spiropalin, apo edhe Olta Xhaçkën, që është në SPAK.
Zoti Rama nuk e përmend fjalën KORRUPSION, emblema ndërkombëtare e qeverisjes së tij sepse ajo është karakterizuese, e përfshin edhe atë vetë. Jo. Ai e zhgradon dukurinë me terma otomanë për të përcjellë mesazhin manipulues se përderisa ai po flet për këto gjëra, dihet se ato bëhen poshtë dhe se tani po luftohen. Për bakshishet, qokat dhe rryshfetet e socialistëve z. Rama sugjeron vështrim kritik brenda vetes. Duke njoftuar se nuk do mbrojë më njeri. Pra vodhët sa vodhët, tani nuk vazhdojmë më kështu. Të tjerët nuk mund ta bëjnë një gjë të tillë, ata ndiqen penalisht.
Cili pushtet, cila transhëgimi e justifikon këtë? Asgjë e fisme padyshim. Vetëm forca e një sekti që bashkohet në trashëgiminë e një historie të krimit, që e ka patur dhe e ka biznes politikën të cilën e luan duke folur në emër të Shqipërisë.
Dhe që pse jo bëri atë që edhe Enver Hoxha, ndoshta për shkak të formimit të vet nuk e bëri: nga Republika Socialiste e Shqipërisë kaluam në Republikën e Shqipërisë Socialiste, pa vrasje, pa gjyqe, pa zhurmë e shpoti, pa besimin kriminal te disa ideologji dhe luftën që pason. Jo. Thjesht me davetin e parave publike, me tryezën e shtruar në të cilën gjendet përherë një vend për të ftuar të rinj, me të ngrënë e me të pirë, me tendera e ndere, hapje dyersh dhe falje parash. Me të gjithë këtë lyrë të qerres së korrupsionit tërësor, strukturor që ka kapluar një shoqëri që po dorëzohet. Nëse ky nuk është anadollizëm, atëherë çfarë është?
Kush nuk e kupton tashmë se pse z. Rama nuk i intereson shkatërrimi i PD-së së Bashës? Pakkush. Imagjinoni se çfarë fitoreje do të ishte në këtë klimë korrupsioni total – sot për këto që thotë z. Rama nuk foli asnjë nga penat e gazetarisë – shkatërrimi, shkrirja e PD-së. Sesi ai boshllëk që sot mbushet nga iluzioni i një opozite virtuale do të krijonte problem strategjik për pushtetin e këtij njeriu që po e ka shumë të lehtë të na tallë, të na shantazhojë, të na tregojë edhe qytetërimin sipas midesë së vet, po të bëjë edhe modën. Ndaj është e qartë se mbrojtja e të vetëve këtu dhe sot publikisht është një mënyrë e të rekrutuarit të distancë të të gjithë atyre që dinë e duan të vjedhin e që kanë edhe vota. Si ta lexosh ndryshe këtë lloj direktive?
s.zaimi
Add new comment