Tjetër denoncim për Facebook: Krijoi monopol me strategjinë "blije ose fundose"
Një tjetër denoncim për gjigantin e mediave sociale. Komisioni Federal i Tregtisë, agjencia amerikane që merret me konsumatorët dhe tregtinë, ka paraqitur një denoncim të ri prej 80 faqesh kundër Facebook për mbajtjen e paligjshme të një regjimi monopol në botën e teknologjisë, raporton CNBC. Një nismë e tillë u paraqit edhe në qershor të këtij viti, por u refuzua nga një gjykatës federal. Gjithçka nisi të dhjetor të vitit të kaluar, kur Autoriteti Amerikan u bashkua me 48 shtete për të paditur Facebook.
Themeluesi i Facebook, Mark Zuckerberg, ka kohë deri në 4 tetor për t'u përgjigjur.
Lidhur me kërkesën e parë, gjykata vendosi se Komisioni Federal i Tregtisë nuk e përcaktonte saktë tregun në të cilin Facebook po mbante monopolin dhe nuk specifikonte pjesën e tregut që kishte rrjeti social.
Ndërkohë, ankesa e re i referohet blerjes së Instagram dhe WhatsApp në 2012 dhe 2014, të cilat sipas KFT kanë përcaktuar pozicionin e monopolit në treg. Sipas dokumentit, Facebook ka ndjekur skemën "blije ose fundose" dhe për këtë ka të dhëna dhe dëshmi shtesë.
Add new comment