Kthesa e Kinës, propozohet rishpërndarje e pasurisë
Në Kinë, presidenti Xi Jinping mendon se ka ardhur koha për rishpërndarje të pasurisë. Në një takim të Komitetit Qendror të Partisë për Çështjet Financiare dhe Ekonomike, Xi theksoi se prosperiteti i përbashkët duhet të jetë tipar thelbësor i modernizimit të stilit kinez. Qeveria duhet ta promovojë këtë objektiv duke ruajtur zhvillimin me cilësi të lartë, citohet ai nga agjencia shtetërore e lajmeve, Xinhua.
Partia Komuniste ka arsye të forta për t'u shqetësuar për pabarazinë. Kjo e fundit është rritur gjatë dekadave të reformave ekonomike, të cilat kanë krijuar një shoqëri më të pasur dhe më kapitaliste. Pabarazia duket se po kontribuon edhe në probleme të mëdha strukturore, të tilla si një rënie e lindshmërisë pasi prindërit shqetësohen për rritjen e kostove të arsimit dhe pronës.
Por synimi i qeverisë për të rishpërndarë pasurinë ka edhe një arsye tjetër. Reduktimi i pasurive të mëdha përmes shpërndarjes do të sillte edhe tkurrjen e qendrave me pushtet dhe ndikim në Kinë. Kjo frikë qëndron pas sulmeve që qeveria i ka bërë kohët e fundit sektorit të teknologjisë, një burim kryesor i pasurisë vitet e fundit.
Qeveria synon të rregullojë “në mënyrë të arsyeshme të ardhurat e tepërta" dhe të inkurajojë grupet dhe ndërmarrjet me të ardhura të larta t'i japin më shumë shoqërisë. Në të njëjtën kohë qeveria do të përmirësojë arsimin dhe mundësitë për më shumë njerëz që të pasurohen. Po ashtu, synim është edhe lufta kundër evazionit.
Deklarata e Xi po lexohet si një paralajmërim për taksa më të larta ose kërkesa për filantropi nga ana e super të pasurve.
Kina ka norma mjaft të larta të tatimit mbi të ardhurat për më të pasurit e saj. Kjo përfshin një normë të lartë të tatimit mbi të ardhurat prej 45% për ata që fitojnë më shumë se 960 000 juanë (150 000 dollarë) në vit si paga, ndërsa norma më e lartë për të ardhurat personale të tatueshme nga një biznes privat qëndron në 35%. Ndërkohë, taksa e korporatave është 25%, megjithëse disa ndërmarrje të teknologjisë kualifikohen për një normë preferenciale prej 15%.
Add new comment