Ndotin të mëdhenjtë, paguajnë të vegjlit

Postuar në 16 Gusht, 2021 15:58

Shtetet e vogla ishullore, të parat që do të preken nga pasojat e ndryshimit të klimës, janë bërë bashkë për t’u kërkuar “të mëdhenjve” të globit të parandalojnë rritjen e mëtejshme të temperaturës, duke eliminuar karburantet fosile. Aleanca e Shteteve të Vogla Ishullore (AOSIS), një grup në të cilin bashkohen 39 ishuj dhe arkipelagë të shpërndarë në Paqësor, Oqeanin Indian dhe Karaibe, thotë se nëse kjo kërkesë nuk merret seriozisht, pasoja do të jetë “vdekja” e dhjetëra minishteteve, por edhe pjesëve të konsiderueshme të vendeve të mëdha bregdetare, raporton Avvenire.

Ngrohja globale është e pakthyeshme dhe e pashmangshme: brenda njëzet ose tridhjetë vjetësh, temperatura do të rritet me të paktën 1.5 gradë. Edhe nëse arrihet objektivi prej më pak se dy gradë, detet dhe oqeanet parashikohet të përparojnë në drejtim të tokës me të paktën gjysmë metri. Skenari më i keq është ai për një rritje rreth 1 metër. Por për të zhytur në ujë dy të tretat e Kiribatit dhe ishujve Marshall mjaftojnë vetëm 90 cm.

Në Maldive, mbi 80 për qind e sipërfaqes së 1 200 ishujve është shumë më poshtë se një metër mbi nivelin e detit, toka "më e ulët" në planet. Një sipërfaqe e madhe do të mbulohet nga uji edhe nëse emetimet ulen në mënyrë të menjëhershme. Pritet që niveli i ujit të rritet midis dhjetë dhe 25 centimetra deri në vitin 2050. Mirëpo para kësaj, shumë ishuj mund të bëhen të pajetueshëm për shkak të erozionit të tokës.

Kale filloi të tkurret në 2009: pesë vjet më vonë u zhyt plotësisht. Një paradoks i madh ky për këto vende që kontribuojnë me më pak se 1 për qind në emetimet globale: saktësisht 0.23 për qind sipas vlerësimeve më të akredituara.

Beteja e shteteve të vogla shkon përtej humbjes së sipërfaqes së tokës. Në rrezik është mbijetesa e 600 milion njerëzve, gati dhjetë për qind e popullsisë së botës. Sipas të dhënave të OKB-së, shumë prej tyre jetojnë në zona bregdetare më pak se dhjetë metra të larta mbi nivelin e detit. Më shumë se një e treta, sipas një studimi satelitor të kryer nga NASA, banojnë në zona më pak se dy metra mbi këtë nivel. Efekti i kombinuar i ujërave në rritje, acidifikimi i tyre dhe rritja e fenomeneve ekstreme të motit - çdo gjysmë shkallë të tepërt shumëfishon frekuencën dhe intensitetin e tyre - mund t’i kthejë 267 milionë njerëz në refugjatë në fund të shekullit.

Shifrat shkojnë paralel me parashikimin e Bankës Botërore tre vjet më parë. Sipas saj, në vitin 2050 deri në 143 milionë njerëz në jug të planetit do të duhet të largohen nga tokat e tyre të shkatërruara nga ndryshimet klimatike.

Të njëjtën gjë parashikon një studim i sapopublikuar nga “Nature”, sipas të cilit, në vitin 2050 do të rritet me 11 për qind numri i njerëzve që nuk sigurojnë dot ushqim. Në skenarin më të keq, kjo shifër arrin 36 në për qind.

Pasojat e ndryshimeve kanë filluar të ndihen në Lagos, më pak se dy metra mbi nivelin e detit. 24 milionë banorët e tij po luftojnë me përmbytjet. E njëjta gjë po ndodh në Xhakartë. Së shpejti, e njëjta situatë mund të jetë në Bangkok, Shanghai, Daka dhe Hanoi. Për një europian apo amerikan, këto mund të konsiderohen vende të largëta. Megjithatë, përmbytjet e fundit në Gjermani, treguan se problemi nuk është edhe aq larg.

Liderët botërorë mblidhen në nëntor të këtij viti në Glasgou, në konferencën e OKB-së për klimën.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.