Sherri ynë i vazhdueshëm

Postuar në 14 Gusht, 2021 15:54

Adriatik Kelmendi publikon sot një shkrim përmes të cilit shtron pyetjen: Kujt i konvenojnë përçarjet Kosovë-Shqipëri?

Teza në fjalë i bën jehonë një psike disi të vjetër që presupozon se vëllazaria kombëtare është një njësi që lidhet në mënyrë emotive vetëm. Mbi këtë premisë vërdalloset sot e gjithë ditën edhe diskutimi politik në internetin shqip. Teksa pyet kështu Kelmendi e hap shkrimin me një aksiomë:

Kam përshtypjen se edhe mos të dilte Goran Bregoviqi shqiptarzeza do ta shpikte një situatë vetëm për ta sharrë njëri-tjetrin. Thuajse pak na shajnë e na nënçmojnë të tjerët…

Ky realitet i konfrontimit verbal radikal mes shqiptarëve është një ndër aspektet më të rëndësishme të (de)kohezionit tonë si shoqëri, por me të cilën pak merremi. Ne preferojmë të shohim vërdallë, ta kultivojmë unitetin përmes pikturimit të një bote armiqësore dhe të pasigurtë. 

O legjendarë shkurtpamës, po a e dini që për shumicën e Evropës shqiptarët si në Kosovë e si në Shqipëri shihen si dele të zeza?!Kjo do të duhej të na afronte dhe jo të zmadhojmë situata për t’u ndarë. Ku jemi nisur kështu?Kujt i konvenon kjo?Sigurt nuk i konvenon atyre që flasin shqip, por shumë të tjerëve po

vijon Kelmendi që na sugjeron këtu se ne rrethohemi nga dashakeqës që punojnë të na mbajnë të ndarë. Mirëpo kush janë këta armiq?

Serbia? Nëse është Serbia, atëherë si ta mbrojmë kështu Edi Ramën që po dakordësohet për unfikim ekonomik dhe lëvizje të lirë mallrash? Si ta akuzojmë Vuçiçin se po hedh valle nga gëzimi ndërkohë që ai po investohet për pajtim me shqiptarët? Kujt I konvenon? Francës, Italisë, Gjermanisë? Këto janë vende që e kanë njohur Kosovën dhe nuk dihet se po punojnë të minojnë shtetësinë e saj, që varet pikërisht prej tyre?

Mbyllja e shkrimit është edhe më groteske kur konstaton zotësinë politike të Edi Ramës në krahasim me politikanët e rajonit. Por ta lëmë këtë në konsideratën e autorit që ka të drejtën të ketë optikën e vet mbi laramanin e Ballkanit. Të merremi pak me sherrin e vazhdueshëm mes shqiptarësh, atë për të cilin nuk flitet shumë. Është patjetër një gjendje psikologjike që kërkon hetime të mëdha, por ne nuk mund të mos bëjmë sikur nuk e kuptojmë se Gënjeshtrar zyrtare, narrativa është ajo që ka future xixat mes njerëzve.

Gënjeshtra për epikën tonë si komb, në pajtim me narrativën nacionaliste për virtytet tona, përveçse ka krijuar një re mashtrimi, ka korruptuar moralin tonë në qasjen ndaj historisë. Ka deformuar pasqyrën e saj, për të hedhur farën e një bashkëjetese shumë të vështirë. Po, shqiptarët e kanë të vështirë bashkëjetesën me njëri-tjetrin, sepse në përvoja që ajo na jep, kompromenton çdo besim për hierarki vlerash nesër. Sapo dikush ecën apo arrin diçka, kërkon që të fshihet në adresarin e vlerave të rreme, shpik një origjinë, ble mbështetje, imponon një rend gjërash për të kërkuar mandej edhe një rend të menduari. Si të funksionojë kjo kontratë sociale? Si të pranojë dikush p.sh që Hashim Thaçi është lideri heroik i luftës? Si të pranojë një shqiptar se Edi Rama është dikush me vizion, largpamësi kur hyrja e tij në politikë është një katapultim i fatit?

Sherri mes nesh është në fakt simptomë pozitive se gënjeshtra po refuzohet, sikundër është simptomë negative edhe e një malinjiteti apo dëshire për të denoncuar të ardhmen përmes rikujtimit akuzator të së tashmes dhe të shkuarës sonë të përbashkët. Sherri ynë është provë se ne nuk e kemi themeluar ende Qytetin, ndonëse njerëz si ky Edi Rama, apo Erion Veliaj po kërkojnë ta improvizojnë atë si një venbanim të privilegjuarish.

Ndaj për sa kohë që kjo kontratë do të ketë këto palë, ne do të mbetemi dele të zeza edhe për logjikën më formale, jo më për shoqëri të tjera. Të mësohemi njëherë ta shohim veten në pasqyrë, pastaj të merakosemi çfarë thonë bota. Sepse në fund të fundit kurrkush nuk merakoset posaçërisht për ne. Jemi shumë të parëndësishëm, ndonëse për të minuar veten kemi boll aftësi.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.