Flakët do të shuhen, por Flama nuk shqitet nga ky vend
Shqipëria ka disa ditë që po piqet nga zjarret. Nga jugu në veri, flaka ka mbuluar një pjesë të Shqipërisë e cila me këtë dramë tanimë globale po prodhon si përherë komedinë e vet.
Heronjtë janë të parët në inskenimin komik. Zjarrëfikësit, ushtarakët, janë heronj sepse po shuajnë zjarret.
Qeveritarët janë palaçot e padurueshëm të kësaj që po shohim. Me surretërit që i kemi patur nëpër këmbë me dekada, e sidomos me ato që thonë.
Ministri i Mbrojtjes dhe tani drejtori i Kadastrës, po flasin për djegie të qëllimshme sepse synohet sipas tyre kthimi i pyjeve në troje dhe mandej legalizimi. Por sipas tyre legalizimi është histori e së shkuarës, ai ishte një amnisti e detyrueshme.
Pastaj kemi paralajmërimin për hetime. Për ndalime. Vit për vit ky zanat.
Grotesku i kësaj që shohim qëndron në faktin se pyjet po digjen, sepse ende nuk janë privatizuar dhe aty ku janë privatizuar jepen leje gjithfarëshe.
Cili mjet demokratik, cila fjalë, cila logjikë e mposht dot këtë ligësi apo këto alibi që na shpërfaqen herë si Niko, herë si Artan, herë si Erjon e shumë herë si Edi?
Shqipëria digjet, kudo. Prishet dhe plaçkitet, përditë dhe ngado. Të vjen keq ta shohësh kështu, të vjen turp se nuk bën dot gjë. Se nuk je i fuqishëm. Se nuk je i aftë. Por sapo për këto fatkeqësi flet Niko, Edi, Luli, Erjoni, Tualanti, Belinda e me radhë, sepse të duket se ato nuk të përkasin. Janë larg, janë thjesht një nga ato lajmet që të bezdisin. Sepse mbi to mbivendoset fatkeqësia e fytyrave të vrerosura që kudo, në vaki e gëzim, të ndjellin ndjesinë se diçka po duan të marrin edhe aty ku nuk ka mbetur gjë.
Ndaj le të ksehasemi me këtë fatkeqësi të mbytur nga alibitë dhe ligësia e një politike që literalisht të sjell zorrët në grykë. Siç literalisht ka nisur të sjellin zorrët në grykë fytyra të këtilla, kur i sheh në media, apo edhe kur i has në rrugë. Është një refluks patologjik që duket se po paralajmëron se i vetmi imunitet ndaj kësaj skote halldupësh të padin, është vetëm kriza gastrike.
Add new comment