Fasada e anti-korrupsionit
Petro Koçi duket se ka nisur së fundmi një kryqëzatë kundër korrupsionit në vend. Mesa duket z. Koçi beson te betejat e vogla që bëjnë gjëra të mëdha dhe pagëzoi goditjen e vet me akuzat ndaj Bashkisë Fier dhe vazhdon së fundmi me sulme ndaj Kadastrës së Artan Lames. Ose Artan Lames së Kadastrës. Pak a shumë z. Koçi, ish-sekretar Organizativ i PS-së, dikur i përfolur për kryetar dhe tashmë deputet i zgjedhur, po na thotë se në këtë vend bëhet kërdia në institucione. Dhe institucionet ku gëlon paraja dihen kush janë.
Nuk kemi pse ta paragjykojmë zotërinë në këtë sipërmarrje morale. Në fund të fundit njeriu në diçka duhet të besojë: dje z. Koçi besonte te statuti i partisë, sot beson te fjala në publik. Ajo çfarë është disi e papritur është se ku adresohet kjo fjalë. Vite më parë z. Rama, kryeministri, shpërndau në media një material audio ku ai kritikonte ata që i quante “drejtorë që na nxorën bojën”.
Vitet ikën dhe asgjë nuk ndryshoi. Z. Rama e pagëzoi mandatin e dytë me reformën në administratë sepse do bënte shtet që mandej të na sillte mirëqenien. Në të vërtetë asnjë nga të dy nuk u bë, çka na bën të dyshojmë se nuk ka vullnet për të ndërtuar diçka të vërtetë në këtë vend.
Ndaj nëse nuk do ekzekutivi si vallë mundet që një deputet të besojë se fjala e tij do çojë para diçka? Kjo është një pyetje që vjen natyrshëm kur sheh se gradualisht kritika të tilla “nga brenda” nisin e marrin pamjen e fasadës pas së cilës dikush bën korrigjimet që do, duke shitur se ka bërë një reformë të re, apo një ndryshim radikal.
Kritikat e z. Koçi bëhen ndërkohë që po përgatitet kabineti i ri qeverisës dhe ndonëse ai mund të jetë gjenuin në ato që thotë, sërish deklarime të tilla nuk i shpëtojnë instrumentalizimit.
PS-ja nuk mbron askënd.
Këtë dëgjuam pak ditë më parë kur ndodhi ndalimi i kryebashkiakut të Lushnjes Fatos Tushe. Në fakt PS-ja ka mbrojtur gjithkënd, gjithë llumin e këtij vendi e ka bërë me imunitet sepse këtu jetojmë, por është në fibrën dhe zakonin e harbutit që të jetë I pacipë kur lyp, lëpin dhe zgërdhihet me zhvatjet e veta. Është soji i tillë, të mos çuditemi.
Add new comment