Virusi, vaksinat dhe lojërat e rrezikshme me to
“Lavjerrësi i Foucault” ndoshta nuk është romani më i suksesshëm i Umberto Eco -s; por autori ishte veçanërisht i lidhur me të, sepse në të zhvilloi një skenar intuitiv. Njerëzve u pëlqen të mendojnë se historia e tyre nuk lidhet me Shansin, por me një Plan. Padyshim që Plani nuk ekziston; por njerëzit besojnë në të deri në pikën e përafrimit të veprimeve dhe mendimeve të tyre me Planin. Ky qëndrim ka ekzistuar gjithmonë, por tani ka gjetur një përforcues të frikshëm: Rrjetin. Nuk është për t'u habitur fakti se lëvizja që kundërshton vaksinat dhe pasaportën e vaksinimit është shumë më e fortë në mediat sociale sesa në rrugë.
Shumë prej nesh janë të bindur se ekziston një grup përfaqësimi - në të cilin lëviz politika, media, intelektualët - dhe një grup realiteti, ku gjërat thuhen ashtu siç janë. Është e qartë se ka një skemë të rreme; por disa politikanë dhe intelektualë kanë verifikuar se sa simpati dhe sa merita mund të marrin nëse bëhen pjesë e asaj.
Natyrisht, liria e mendimit dhe e fjalës është e shenjtë dhe duhet respektuar gjithmonë. Por sa më seriozë dhe autoritarë të jetë një individ, aq më shumë duhet ta ushtrojë këtë liri; për më tepër në një fazë vendimtare si kjo.
Planet nuk u kanë dalë me sukses as diktatorëve, nga Mao te Stalini, të gatshëm për të vrarë miliona njerëz në mënyrë që t'i zbatojnë ato; megjithëse kjo nuk i ka penguar ata të gëzojnë besim dhe prestigj mes shumë intelektualëve perëndimorë. Ideja që sot ekziston një plan i hartuar nga Merkel, Draghi dhe Biden për të imponuar një kontroll mbi njerëzit, padyshim në lidhje me Big Pharma, është në vetvete mjaft qesharake. Kjo nuk përjashton që shumë e besojnë këtë, gjë që nuk do të ishte dramatike nëse nuk do të kishte pasoja të rënda.
Në këto tetëmbëdhjetë muaj të pandemisë, shkencëtarët kanë kundërshtuar vazhdimisht veten, por ata bien dakord në një pikë, të mbështetur gjerësisht nga çdo statistikë, në çdo vend: virusi është në mënyrë të pakrahasueshme më i rrezikshëm se vaksina. Pasaporta e vaksinës nuk është universi i kampit të përqendrimit të studiuar nga Michel Foucault, nuk është gulag i denoncuar nga Aleksandr Solzhenicin dhe padyshim nuk është paradhoma e nazizmit, siç kanë guxuar të argumentojnë disa; është provë që një individ, që ka marrë të paktën një dozë të vaksinës, ka shumë më pak të ngjarë të infektohet dhe t’ia transmetojë virusin tjetrit sesa dikush që nuk e ka bërë vaksinën. Shteti mbron lirinë për të mos u vaksinuar; jo atë të rrezikimit të të tjerëve.
Massimo Cacciari dhe Giorgio Agamben kanë bërë kudes që të mos u bashkohen radhëve të mohuesve dhe përkrahësve të pamatur të ngjashmërive historike. Sidoqoftë, mbetet serioze që dy intelektualë të rëndësishëm të shfrytëzohen nga ata që refuzojnë të kryejnë detyrën e tyre qytetare, për të pranuar se në një pandemic, secili është përgjegjës për shpëtimin e tjetrit.
Vaksina nuk është as e majtë dhe as e djathtë. Massimo Gramellini shkroi pak ditë më parë se vaksinat u konceptuan, financuan dhe u vunë në zbatim në Amerikën e Donald Trump dhe në Britaninë e Madhe të Boris Johnson, udhëheqës të një të djathte tjetër nga ajo tradicionale, me vija pak a shumë të theksuara të populizmit dhe nacionalizmit. Fakti liderët e së djathtës lokale janë kaq të vakët ndaj vaksinave, duhet të na habisë. Njësoj siç duhet të na habisë edhe prania në të majtë të një mendimi që supozohet të jetë anti-sistem, por përfundon duke u përkthyer në forma antisociale, siç janë refuzimi i vaksinimit dhe certifikatave që e konfirmojnë atë. Pasaporta e vaksinës nuk është numri i Bishës; është thjesht një leje kalimi për të bashkëvepruar me të tjerët, pa u ekspozuar ndaj rreziqeve dhe pa krijuar asnjë të tillë. Padyshim që garancitë nuk ekzistojnë, askush nuk është 100% i sigurt. Por deri më tani nuk është gjetur asgjë më e mirë se vaksinat; dhe kjo nuk është një teori, është realitet.
Ne të gjithë jemi dakord: është shumë e vështirë të pranosh që çështja njerëzore është në mëshirën e Shansit, që kohët e fundit është manifestuar në një virus që ka prishur projektet, ekonominë dhe mundësitë. Por alternativa ndaj Shansit nuk është Plani sekret i të fuqishmëve që sundojnë botën. Është besimi në shkencë, në punë, në progres, në ndihmë reciproke; që në këtë rrethanë kanë marrë formën prozaike të një injeksioni dhe një certifikate.
Shkrimi është botuar në Corriere della Sera
Add new comment