Serbia dhe Kroacia në "sherr" për Nikola Teslën

Postuar në 26 Korrik, 2021 14:49

Nismën e Kroacisë për të vënë imazhin e shpikësit të famshëm Nikola Tesla në monedhat e saj euro, Serbia nuk e ka pritur mirë. Banka Qendrore Serbe tha se do ta çojë çështjen në BE.

Nikola Tesla, serb i lindur në Kroacinë e sotme në 1856 kur vendi ishte pjesë e Perandorisë Austro-Hungareze, është krenari për të dy vendet, lidhjet e të cilave kanë qenë të ftohta që nga shpërbërja e përgjakshme e Jugosllavisë së dikurshme.

Si Zagrebi, edhe Beogradi pretendojnë se pionieri i inxhinierisë moderne elektrike është i tyre.

Kroacia planifikon ta fusë euron në qarkullim në vitin 2023.

Banka Kombëtare e Serbisë (NBS) e cilësoi të papërshtatshëm planin kroat.

Kjo do të nënkuptojë "uzurpimin e trashëgimisë kulturore dhe shkencore të popullit serb" që kur Tesla e identifikoi veten si serb, thuhet në një deklaratë të saj, të cituar nga France 24.

Plani ka shkaktuar debat në rrjetet sociale midis atyre që akuzojnë Zagrebin për "vjedhjen e Teslës" dhe atyre që argumentojnë se ai "i përket të gjithë botës".

Zagrebi ka hedhur poshtë kritikat, duke theksuar se Tesla ka lindur në Kroaci.

Tesla, hiri i të cilit ruhet në Serbi, e quante veten qytetar i botës.

Ai kaloi pjesën më të madhe të karrierës së tij profesionale në SHBA dhe u kthye në një amerikan të natyralizuar.

Tesla patentoi më shumë se 700 shpikje gjatë jetës së tij, duke përfshirë komunikimin pa tel, telekomandën dhe ndriçimin fluoreshent.

Megjithëse ia doli të ishte në kopertinën e revistës “Time” në 1931, Tesla vdiq i vetëm në një hotel në Neë York 12 vjet më vonë, në moshën 86 vjeç.

Emri i tij u rikthye në vëmendjen ndërkombëtare, pasi Elon Musk i vuri emrin e tij kompanisë së makinave elektrike.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.