"Nuk na e njohin vaksinën, detyrohemi të bëjmë tamponin"
Fluks qytetarësh në qendrën ku bëhen tamponë për Covid 19, e cila ndodhet brenda aeroportit “Nënë Tereza”. Mosnjohja e vaksinës nga shtete të tjera ka bërë që të krijohet kjo dyndje dhe radhë. Kryesisht qyetarët që paraqiten për të bërë tamponin, udhëtojnë për në Itali.
Nëse ke kryer të dyja dozat e vaksinës, dhe do të udhëtosh jashtë vendit, duhet të sigurohesh nëse të nevojitet tampon. Të shumtë janë qytetarët që janë paraqitur vetëm me certifikatën e vaksinimit, por janë detyruar të kryejnë edhe tamponin pranë një laboratori privat.
Në fletën që është e ngjitur në hyrje e qendrës që realizohet tamponi shkruhet se tamponi kushton 35 euro ose 4300 lekë. Por nuk është e shënuar koha që qytetari duhet të presë për të marrë përgjigjen.
Përfaqësues të distributorit që kryen tampone shprehen të rezervuar për të dhënë një prononcim lidhur me shifrën e tamponëve që kryhen, por një punonjës thotë se në ditë realizohen deri në 105 tamponë.
Grumbullime të tilla për të kryer një tampon po rrezikojnë që të kthehen në një vatër infeksioni. Nga ana tjetër, nga pamjet që disponon MCN, nuk ka grumbullime vetëm në ambientet e jashtme, por edhe në ambientet e brendshme të aeroportit.
Add new comment