Raporti: 1,2 miliardë tonë ushqim humbet ende pa hyrë në zinxhirin e furnizimit

Postuar në 22 Korrik, 2021 14:52

Një sasi e jashtëzakonshme ushqimi shkon dëm që në ferma, ende pa hyrë mirë në zinxhirin e furnizimit. Një raport i përgatitur WWF dhe gjiganti britanik i shitjeve me pakicë, “Tesco”, vlerëson që sasia totale e ushqimit të humbur në ferma arrin në 1,2 miliardë tonë, e barabartë me peshën e 10 milionë balenave blu. Një sasi e tillë ushqimi do të mjaftonte për të tejkaluar katërfish sasinë që i duhet 870 milionë njerëzve të kequshqyer që ka bota.

Në terma financiarë, kjo humbje kap vlerën 370 milionë dollarë.

Vendet me të ardhura të larta dhe të mesme të Europës dhe Amerikës së Veriut si dhe pjesës së industrializuar të Azisë janë ato ku ndodh pjesa më e madhe e shpërdorimit. Praktikisht, në këto vende humbet 58% e totalit të humbjeve në rang global, pavarësisht se ato kanë shkallë më të lartë të mekanizimit të punës në ferma dhe përbëjnë vetëm 37% të popullsisë së botës.

Sa dëm i shkakton mjedisit kjo pjesë e ushqimit që shkon dëm? Sipas raportit janë 2.2 gigatonë dioksid karboni që lëshohen në atmosferë nga fermat, afërsisht 4% e gazit serrë antropogjen dhe 16% e të gjithë totalit të karbonit që lëshon bujqësia si sektor. Në raport me ndotjen që shkakton transporti, kjo është sa 75% e të gjitha makinave në Europë dhe SHBA të marra së bashku.

Në funksion të kësaj sasie që shkon dëm vihet në dispozicion një sipërfaqe prej 4.4 milionë km2, praktikisht një sipërfaqe më e madhe se India.   

Më shumë se gjysma e ushqimit shpërdorohet para, gjatë dhe pas të korrave. Termi humbje e ushqimit shpesh përdoret për t’iu referuar prodhimit bujqësor që ka humbur pa dashje për shkak të një larmie faktorësh përfshirë kushtet e tregut, infrastrukturën e dobët, praktikat e dobëta bujqësore, dëmtuesit, sëmundjet, katastrofat natyrore dhe moti i keq.

Raporti përmend SDG 12.3 (Objektivi i Zhvillimit të Qëndrueshëm të FAO-së 12.3) "i cili në 2015 vendosi si synim përgjysmimin e humbjeve globale të ushqimit për frymë deri në 2030 dhe reduktim të humbjeve në shitjet me pakicë.

 

Comments

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.